Amerikani i dyshuar për mashtrim me kriptovaluta prej një miliard dollarësh arrestohet në Stamboll
Një person i dyshuar për përfshirje në një mashtrim me kriptovaluta, me vlerë rreth një miliard dollarë, është arrestuar në Stamboll të Turqisë, ka njoftuar ministri turk i Drejtësisë, Akın Gürlek.
Shtetasi amerikan, Richard James Schueler kërkohej ndërkombëtarisht me urdhërarrest të kuq, për shkak të dyshimeve për përfshirje në një skemë të mashtrimit me kriptovaluta.
Autoritetet turke e lokalizuan të dyshuarin në lagjen Beşiktaş të Stambollit, ku më pas u zhvillua një operacion policor. Gjatë aksionit, policia arrestoi edhe bashkëshorten e tij.
Gjatë kontrollit në banesën ku qëndronin të dyshuarit, autoritetet sekuestruan një sasi të konsiderueshme parash dhe sendesh me vlerë. Mes tyre ishin 600 mijë dollarë, 24 orë luksoze dhe stoli ari, shkruan cnnturk.
Përveç parave dhe sendeve të çmuara, policia gjeti dhe sekuestroi edhe armë zjarri, municion, dronë, telefona celularë dhe pajisje kompjuterike. Këto pajisje pritet të shqyrtohen në kuadër të hetimeve për rastin.
Sipas raportimeve, hetimet lidhen me një mashtrim të dyshuar në sektorin e kriptovalutave, vlera e të cilit llogaritet në rreth një miliard dollarë. Megjithatë, hollësitë e plota për mënyrën e funksionimit të skemës dhe numrin e personave të dëmtuar nuk janë bërë të ditura në informacionet e publikuara.
Pas arrestimit, të dyshuarit janë shoqëruar në polici për procedurat e mëtejshme ligjore. Autoritetet pritet të vazhdojnë hetimet për të sqaruar rolin e tyre të mundshëm në këtë rast dhe për të përcaktuar nëse janë të përfshirë edhe persona të tjerë. /Telegrafi/
