Ali Ahmeti takohet me Edi Ramën: Biseduam për çështjet kombëtare, bashkëpunimin dhe perspektivën evropiane
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka zhvilluar sot një takim me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, të cilin e ka cilësuar si mik të tij.
Përmes një mesazhi publik, Ahmeti bëri të ditur se gjatë takimit kanë diskutuar për çështje me interes të përbashkët kombëtar, thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, perspektivën evropiane dhe partneritetin në kuadër të NATO-s, përcjell TS.
“Me Edin, si gjithmonë, biseduam vëllazërisht, hapur dhe me përkushtim për çështjet me interes të përbashkët për kombin tonë shqiptar, për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve tona, për perspektivën evropiane, partneritetin në kuadër të NATO-s dhe përgjigjen e përbashkët ndaj sfidave me të cilat përballemi” ka shkruar Ahmeti.
Ahmeti theksoi se takimi merr një rëndësi të veçantë pasi u zhvillua më 22 Nëntor, në Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, dhe në prag të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë. Ai gjithashtu rikujtoi rëndësinë e bashkimit të shqiptarëve rreth gjuhës, flamurit dhe interesave kombëtare, duke bërë thirrje për forcimin e bashkëpunimit dhe ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët evropiane.
“Ky takim merr një domethënie të veçantë edhe për faktin se zhvillohet më 22 Nëntor, në Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, dhe në vigjilje të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë. Këto ditë të Nëntorit të Madh na rikujtojnë rrugëtimin tonë historik, sakrificat ndër breza dhe rëndësinë e bashkimit rreth gjuhës, flamurit dhe interesave tona kombëtare” thotë më tej lideri i BDI-së Ali Ahmeti pas takimit me Ramën.
Në fund Ahmeti uron 22 Nëntorin të gjithë shqiptarëve. “Gëzuar 22 Nëntorin dhe le të na bashkojë gjithmonë fryma e Nëntorit shqiptar!”, ka shkruar Ali Ahmeti.
