TË FUNDIT

Aktgjykimi i Hagës trazon politikën, Kosova përballë kapitullit të ri – çfarë vjen pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së?

Aktgjykimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka hapur një kapitull të ri dhe tejet të ndjeshëm për Kosovën, jo vetëm në aspektin juridik, por edhe në atë politik, institucional dhe shoqëror.

Më 16 shtator 2026, Trupi Gjykues shpalli vendimin ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, duke i shpallur përgjegjës për vepra penale të luftës dhe duke shqiptuar dënime me burgim për secilin prej tyre. Vendimi ka rikthyer në qendër të vëmendjes një proces që për vite me radhë ka qenë pjesë e debatit politik e shoqëror në Kosovë dhe që tashmë, pas përfundimit të shkallës së parë, pritet të ndikojë edhe në mënyrën se si partitë politike, institucionet dhe figura të ndryshme publike do të pozicionohen ndaj tij.

Por, përtej vetë dënimeve, pyetja që po shtrohet tash është se çfarë pasojash politike mund të prodhojë ky aktgjykim. A do të ndryshojë raporti i partive politike me njëra-tjetrën? A do të rikthehet në qendër të debatit përgjegjësia politike dhe institucionale e figurave që për vite kanë qenë pjesë e skenës politike të Kosovës? Dhe si do të sillet politika kosovare përballë fazës së ardhshme të procesit gjyqësor?

Në Kosovë, vendimi ka prekur njëkohësisht disa shtresa të debatit publik. Në njërën anë qëndron çështja e përgjegjësisë individuale penale, e cila është objekt i procesit gjyqësor, ndërsa në anën tjetër është debati shumë më i gjerë politik e historik mbi luftën e UÇK-së, trashëgiminë politike të ish-krerëve të saj dhe mënyrën se si institucionet e Kosovës duhet të përballen me pasojat e këtij vendimi.

Një tjetër pikë e rëndësishme është se aktgjykimi nuk e mbyll domosdoshmërisht debatin juridik. Pas vendimit të shkallës së parë, vëmendja pritet të zhvendoset edhe te procedurat e mëtejshme gjyqësore dhe te argumentet që mbrojtja do të paraqesë në fazat pasuese. Kjo e bën çështjen e Hagës ende të pranishme në diskursin politik dhe publik të Kosovës.

Në këtë situatë, partitë politike përballen me një tjetër sfidë: si të pozicionohen ndaj vendimit pa e kthyer atë vetëm në një përplasje partiake, ndërsa njëkohësisht të adresojnë shqetësimet e elektoratit, familjeve të të dënuarve, veteranëve dhe një pjese të shoqërisë që e sheh procesin nga këndvështrime të ndryshme.

Qarri: Përgjegjësia është individuale, aktgjykimi nuk e kriminalizon UÇK-në

Fillimisht, analisti politik, Gani Qarri për “Bota sot” thotë se pas aktgjykimit duhet bërë një dallim i qartë mes përgjegjësisë individuale të personave të dënuar dhe luftës së UÇK-së, duke argumentuar se vendimi ndaj individëve nuk duhet të interpretohet si vendim ndaj gjithë organizatës apo luftës çlirimtare.

Qarri rikujton fillimisht mënyrën se si është themeluar Gjykata Speciale dhe rolin që kanë pasur institucionet dhe partitë politike të Kosovës në krijimin e saj.

ImageGani QarriFoto galeri
“Gjykata Speciale është votuar nga 82 deputetë të PDK-së, LDK-së, AAK-së, ish Nisma-së së Limajt dhe të ashtuquajturën “listë serbe”, ndërsa në marrëveshje me faktorin ndërkombëtar është inkorporuar me nen të veçantë edhe në vet Kushtetutën e Kosovës, akt që nga ana e Kosovës e vetme, nuk mund të ndryshojë apo zhbëhet as nga legjislativi i vendit siç është Kuvendi, para se SHBA dhe BE, të deklarohen se misioni i kësaj Gjykate, ka përfunduar dhe ekzistenca e saj, nuk është më e nevojshme për Kosovën.”

Sipas Qarrit, diskutimi aktual për zhbërjen e Gjykatës Speciale duhet parë edhe në raport me zhvillimet e fundit politike dhe institucionale në Kosovë.

“Derisa janë pikërisht njerëzit e PDK-së, ata të cilët vetëm 1 dhe 2 ditë para vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë, kanë dërguar dy kërkesa partiake në Gjykatën Kushtetuese për zhvlerësimin e konstituimit të Legjislativit dhe të Ekzekutivit duke vënë në pikëpyetje legjitimitetin e Kuvendit dhe të Qeverisë së Kosovës, edhe kërkesës për zhbërjen e gjykatës speciale i bie vlerësimi, sidomos kur ajo shtrohet nga njerëz të maskuar e destruktiv, që keqpërdorin edhe dënimet e Thaçit & Co nga Gjykata Speciale për vëmendje dhe ekspozime në kryeqytet për përfitime personale.”

Ai thotë se për këtë arsye, çdo iniciativë për zhbërjen e Speciales duhet të shihet edhe në kontekstin e legjitimitetit dhe mbështetjes që mund të ketë në institucionet e Kosovës.

“Prandaj nëse nuk tërhiqen paraprakisht kërkesat drejtuar kushtetueses, nga eksponentët e kësaj partie, pretendimi i tyre për gjoja zhbërjen e Gjykatës Speciale dhe anulimin e dënimeve, nga institucione të “relativizuara”, me legjitimitet të diskutuar, të cilin ata vet e kanë vënë në pikëpyetje, me aktet e dërguara në Gjykatën Kushtetuese, shndërrohet në lojë fjalësh, manovrim për manipulime politike dhe fitimin e ndonjë poeni partiak, që në fakt, nuk kanë prioritet zhbërjen e Speciales as anulimin e dënimeve të shqiptuara ndaj Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit në Hagë.”

Qarri argumenton se ndryshimi apo shfuqizimi i misionit të Gjykatës Speciale nuk është një çështje që mund të zgjidhet vetëm përmes institucioneve të Kosovës.

“Shfuqizimin apo ndryshimin e misionit të Gjykatës Speciale, nuk do ta votonte as bashkëpunëtorja politike, bashkë-votuesja e kësaj Gjykate dhe bashkëpjesëtarja jetike në bashkëqeverisjet e kaluara me PDK-në, LDK-në, AAk-në etj, e ashtuquajtura “listë serbe”, kështu që adresa për zhbërjen e Speciales, logjikisht nuk gjendet në Prishtinë, por në Beograd, pasi që në vendimin eventual për zhbërjen e Speciales, pa dakordimin e të ashtuquajturës “listë serbe”, nuk mund të ndodhë dhe pa votën e saj nuk mund të zhbëhet Gjykata e krijuar bashkë me këtë monstrum politik, kur dihet mirëfilli se kundër zhbërjes së Speciales do të jetë “lista serbe” dhe jo shqiptarët as Qeveria e Kosovës.”

Në një pjesë tjetër të deklarimit, Qarri ndalet te vetë përmbajtja e aktgjykimit dhe te mënyra se si, sipas tij, duhet interpretuar përgjegjësia penale e të dënuarve.

“Problemi tjetër bllokues për zhbërjen e Speciales dhe anulimin e dënimeve është fakti se Thaçi & CO, nuk janë dënuar nga Dhomat e Specializuar, për shkak të luftës kundër Serbisë, por nën akuzat për vrasjen e zhdukjen e kundërshtarëve politik shqiptar dhe bashkëluftëtarëve si z. Behajdin Hallaqi, kështu që edhe Gjykata e Apelit, e ka pothuajse të pamundur ta hedh poshtë aktakuzën në tërësi apo asgjësoj fajësinë e të dënuarve, derisa autorët e të vrarëve dhe personave të zhdukur si z. Hallaqi janë cekur me emër e mbiemër, pra fajësia për shuarjen dhe zhdukjen e z. Hallaqi & Co, u përshkruhet pikërisht personave të dënuar si Hashim Thaçit e Kadri Veselit, dënime për të cilat Gjykata e Apelit, ndoshta mund ti ulë pjesërisht në vite, por jo ta zhduk apo tjetërsoi aktin dënues dhe ti lë të lirë autorët.”

Qarri thekson se, sipas tij, përgjegjësia individuale nuk duhet të shndërrohet në një interpretim të përgjithshëm ndaj UÇK-së dhe luftës së saj.

“Në fatkeqësinë e ndodhur, gëzon fakti që individë të caktuar, janë shpallur fajtorë për krime individuale dhe bazuar në aktakuza personale, kështu që dënimet nuk janë sulm ndaj UÇK-së as vendime kundër luftës tonë të shenjtë për liri dhe çlirim kombëtar nga okupimi serb.”

Ai shton:

“Duhet të jetë e qartë për të gjithë, se përgjegjësia penale e individëve nuk mund ta njollos historinë e popullit shqiptar, as ta ndryshojë të vërtetën historike të Republikës së Kosovës, siç nuk mund ta kriminalizojë dënimi i Thaçit dhe të tjerëve, luftën tonë të drejtë, për çlirim kombëtar nga Serbia.”

Në këtë kuadër, analisti e sheh aktgjykimin edhe si një mundësi për rikthimin e vëmendjes institucionale te rastet e vrasjeve dhe zhdukjeve që ende nuk janë zbardhur.

“Vendimi i Dhomave të Specializuara, veçanërisht me konstatimin se Behajdin Allaqit nga viti 1998 nuk i dihet as varri dhe eshtrat e tij nuk janë gjetur kurrë, ka rikthyer serish në qendër të debatit edhe plagët e vjetra duke riaktualizuar nevojën imediate të hetimit urgjent të vrasjeve të pazbardhura, të para dhe paslutës.”

Dhe pikërisht këtu, sipas tij, qëndron një prej sfidave të reja për institucionet e Kosovës.

“Pas dënimit të Thaçit e të tjerëve, nën akuzat për vrasje dhe torturë e keqpërdorime ndaj shqiptarëve, lidhur me zbardhjen edhe të vrasjeve tjera të pahetuara, mbetet të shihet qëndrimi i institucioneve dhe partive politike, ndërsa aktgjykimi i Hagës, në vend të mbylljes së këtij kapitulli të gjatë politik, ka hap një debat të ri për të ardhmen e vendit dhe sqarimin përfundimtar të të gjitha vrasjeve të pazbardhura, të mbuluara tash e gati tri dekada me vellon e dyshimeve misterioze, në mënyrë që të marr fund pritja e gjatë e qetësohen shpirtrat e trazuar të familjarëve të prekur dhe përfundimisht shteti i Kosovës të ecë i liruar nga ngarkesat e deritanishme, qetësisht dhe i sigurt përpara, drejt integrimeve euroatlantike dhe sukseseve të reja.”

Mehmeti: Duket se do të ndryshojë skena politike e Kosovës pas vendimit të Hagës

Ndërkaq, analisti Gani Mehmeti e sheh zhvillimin pas aktgjykimit nga një kënd tjetër. Sipas tij, vendimi i Hagës mund të ndikojë në skenën politike të Kosovës duke i shtyrë partitë të afrohen dhe të ndërtojnë një qasje më të koordinuar.

ImageGani MehmetiFoto galeri
“Pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, Kosova është duke u përballur me një realitet të ri politik.”

Mehmeti për “Bota sot” thotë se ky realitet po vërehet sidomos në raportet ndërmjet partive politike.

“Realiteti i ri politik po shihet në radhë të parë tek partitë politike në Kosovë. Pas këtij aktgjykimi, disi po shihet një afri mes partive, se janë të interesuara të bëhen bashkë për në të ardhmen, për t’u bërë gati që ky aktgjykim të rrëzohet nga Gjykata e Apelit. Unë mendoj se është mirë të bashkohet spektri partiak politik i Kosovës, por ky bashkim do duhej të ishte bërë që para dy vitesh gati.”

Sipas tij, partitë politike nuk e kishin parashikuar një përfundim të tillë të procesit dhe nuk kishin vepruar në mënyrë të koordinuar.

“Partitë tona politike nuk e kishin menduar asnjëherë një aktgjykim të tillë, ato sikur kishin harruar misionin e tyre ndaj vendit dhe popullit, në këtë rast edhe gjykimin e krerëve të UÇK që po mbahej në Hagë. Absolutisht nuk e them se bashkimi do të ndikonte në aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë, por se ato do ta kishin kryer punën e tyre më mirë, sa nuk do të fajësohej asnjëra, sikur të kishin vepruar bashkarisht.”

Mehmeti sjell edhe një shembull për të shpjeguar mënyrën se si, sipas tij, partitë duhet të veprojnë kur bëhet fjalë për interesat që lidhen me përfaqësimin e Kosovës jashtë vendit.

“Unë mund të sjellë një shembull nga jeta rreth bashkimit partiak për përjshtë. Në një takim me një kushëririn tim që jetonte në Turqi, në vitin 1988 i kisha thënë se në Turqi janë shumë parti, mbasi tek ne ishte vetëm ajo e LK.

Po, tha kushëriri, për përbrenda janë shumë parti, por për përjashtë janë të gjitha të bashkuara në një vend!

Këso fare do duhej të ishin edhe partitë tona që nga fillimi. Ato do duhej të vepronin bashkarisht në raport me jashtë, jo siç kanë vepruar deri tani njëra kundër tjetrës.”

Ai e lidh këtë me mënyrën se si partitë politike kanë vepruar ndër vite.

“Partitë tona, në krye me kryetarët e tyre, kishin harruar se bashkimi bën fuqinë. Kjo, tek tani u ka rënë ndërmend. Këtë e themi, duke marrë veprimet e tyre kundër njëra-tjetrës deri në armiqësi.”

Në vlerësimin e Mehmetit, aktgjykimi i Hagës mund të sjellë ndryshime në skenën politike, nëse partitë arrijnë t’i lënë mënjanë përplasjet e tyre.

“Tani, për momentin, duket se do të ndryshojë skena politike e Kosovës pas vendimit të Hagës, do të bashkohen, nëse lënë inatet mesveti. Do të formojnë institucionet dhe mëpastaj, institucionalisht, për aq sa munden, do të bëjnë krejt çka munden për lirimin e të dënuarëve nga Gjykata e Apelit, duke i trajtuar për të pafajshëm.”

Megjithatë, Mehmeti vlerëson se kjo nuk duhet të bëhet përmes deklaratave dhe protestave, por përmes veprimit institucional dhe profesional.

“Si do që të jetë, ne po vonohemi në proceset politike, për çka po pësojmë.”

Ai e veçon PDK-në si një prej partive që është shprehur më fuqishëm kundër Gjykatës Speciale, por thotë se vetëm reagimet politike nuk janë të mjaftueshme për të ndikuar në procesin gjyqësor.

“PDK duket se është më e zëshme kundër Gjykatës së Hagës, por me këtë nuk do mund të bëhet asgjë në dobi të të dënuarëve. Këto çështje shkojnë me diplomaci nga partitë politike dhe nga institucionet shtetërore. Protestat, ofendimet dhe zhurma nuk do të ndikojnë në të mirë të tyre dhe të shtetit.”

Në fund, ai kërkon që në procesin e Apelit të angazhohen edhe ekspertë juridikë nga Kosova.

“Duhet të mblidhen e të organizohen ekspertë juridikë edhe nga Kosova, dhe në bazë të aktgjykimit të shpallur, të zbulohen gabimet që shkalla e Apelit t’i lirojë të dënuarit”, përmbylli Gani Mehmeti për “Bota sot”.

Kështu, pas aktgjykimit të Hagës, debati në Kosovë duket se po zhvendoset nga vetë shpallja e vendimit te ajo që do të ndodhë më pas: beteja juridike në Apel, qasja e institucioneve, pozicionimi i partive politike dhe mënyra se si vendi do të përballet me çështjet e mbetura pezull nga periudha e luftës dhe pasluftës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *