Aksidenti në vendin e punës i merr jetën 20-vjeçarit shqiptar në Itali
Një 20-vjeçar shqiptar, Rogert Ajdini, ka humbur jetën të martën në një aksident në vendin e punës në Valtopina, në provincën e Peruxhias, Itali.
I riu, banues në Trevi, ishte duke punuar në asfaltimin e rrugës Via Santa Cristina, kur mjeti i rëndë për ngjeshjen e asfaltit që po drejtonte dyshohet se u përmbys dhe e zuri poshtë, shkruan Rai News , transmeton Telegrafi.
Kolegët e tij njoftuan më pas menjëherë ekipet e emergjencës.
Në vendngjarje mbërritën zjarrfikësit, ekipet mjekësore dhe helikopteri i shpëtimit, por plagët e marra nga 20-vjeçari rezultuan fatale.
Karabinierët kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e aksidentit.
Nga ana tjetër edhe kryetari i komunës së Valtopinës, Gabriele Coccia, shprehu ngushëllimet për familjen e të riut ./Telegrafi/
