TË FUNDIT

AKP reagon ndaj artikullit të Infokusit për shitjet e pronave: Janë shtrembëruar faktet

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka reaguar ndaj artikullit të publikuar nga portali Infokus më 21 tetor 2026, me titull “EKSKLUZIVE: Nga 4 euro metri katror – AKP shiti me negocim direkt 54 prona gjatë vitit 2025”, duke vlerësuar se raportimi përmban pasaktësi faktike dhe interpretime të njëanshme që, krijojnë perceptim të gabuar te opinioni publik.

Në reagimin zyrtar, AKP thekson se shitjet e përmendura në artikull nuk janë realizuar përmes “negocimit direkt”, por përmes procedurës së shitjes direkte, të parashikuar me Rregulloren Nr. 08/2025 për Shitjen Direkte të Aseteve të Caktuara të Ndërmarrjeve Shoqërore.

Sipas AKP-së, pronat e përfshira në këto raste kanë pasur rrethana specifike faktike dhe juridike, si objekte banimi të ndërtuara në to ose situata bashkëpronësie me persona privatë, çka ka kufizuar mundësinë e shitjes përmes tenderimit publik dhe ka arsyetuar zbatimin e procedurës së shitjes direkte.

Agjencia po ashtu kundërshton pretendimet lidhur me çmimet e shitjes, duke sqaruar se vlerësimi i aseteve është bërë në bazë të metodologjisë dhe hartave zyrtare të zonave të vlerësimit të përcaktuara nga Ministria e Financave dhe jo sipas vendimeve diskrecionale të zyrtarëve të AKP-së.

“Për ilustrim, në dokumentacionin e siguruar nga vetë portali përfshihen edhe raste të vlerësimit të pronave në:

• Prizren, me vlerë prej 200 eurosh për metër katror;

• Mitrovicë, me vlerë prej 320 eurosh për metër katror;

• Gjakovë, me vlerë prej 900 eurosh për metër katror.

Këto raste, të cilat janë pjesë e të njëjtit dokumentacion të ofruar nga AKP, dëshmojnë se vlerat e pronave ndryshojnë ndjeshëm në varësi të vendndodhjes, klasifikimit dhe karakteristikave të tyre.

Mos përfshirja e këtyre të dhënave në artikull, krahas përqendrimit në një numër të kufizuar rastesh me çmime më të ulëta, krijon një pasqyrë të pjesshme të procesit dhe nuk i mundëson publikut të kuptojë në mënyrë të plotë mënyrën e përcaktimit të vlerës së aseteve.

Nxjerrja e çmimeve prej 4 apo 6.50 eurosh për metër katror jashtë kontekstit të statusit juridik, vendndodhjes dhe karakteristikave të pronës krijon përshtypjen e gabuar se AKP ka vendosur çmime në mënyrë subjektive”, thuhet në reagim.

AKP gjithashtu vlerëson se Infokus ka paraqitur vetëm pesë raste nga gjithsej 54 shitje direkte të realizuara gjatë vitit 2025, duke lënë jashtë raste të tjera ku vlerat e pronave kanë qenë dukshëm më të larta, përfshirë prona në Prizren, Mitrovicë dhe Gjakovë.

Në fund, Agjencia thekson se të gjitha procedurat janë zhvilluar në përputhje me Ligjin për AKP-në dhe Rregulloren për Shitjen Direkte, duke kërkuar nga portali Infokus publikimin e reagimit dhe plotësimin e artikullit me sqarimet ligjore dhe faktike të paraqitura nga institucioni.

“AKP mbetet e hapur për ofrimin e informacioneve dhe sqarimeve shtesë me qëllim të garantimit të transparencës dhe informimit të saktë të opinionit publik”, thuhet në reagim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *