OPINIONTË FUNDIT

Afati për zgjedhjen e presidentit po mbaron, kush do të jetë presidenti i ri i Kosovës?

Edhe pak ditë kanë mbetur deri te përfundimi i afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.

Çdo ditë e më shumë po shtohen dyshimet se kush do të jetë presidenti i ardhshëm i vendit. Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, ka shprehur ambicien për një mandat tjetër në krye të presidencës, por ajo duhet të sigurojë votat në Kuvendin e Kosovës.

Deri tani, është raportuar se nuk ka arritur të sigurojë numrin e mjaftueshëm të votave.

Ndërkaq, ka aludime se presidenti i ri mund të jetë nga familja heroike Jashari, gjë që është nxitur edhe nga vizita e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në konakun e tyre.

Megjithatë, personi që ka nxitur më shumë spekulimet për mundësinë që presidenti i ardhshëm të vijë nga familja Jashari është deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri.

Ai në një postim në Facebook, të martën ka shkruar se “nga Jasharët gjithmonë lind drita e Kosovës”.

“Historia e Kosovës është libër me shumë faqe, ku shumë prej tyre janë shkruar me gjak e lavdi. Familja e lavdishme Jashari është një faqe e librit që nuk mbyllet kurrë, sepse ka familje që janë si malet: nuk lëkunden, nuk shuhen, vetëm rritën në madhështi.

Kur gjaku i derdhur bëhet themel, sakrifica bëhet udhëheqje. Nga Jasharët gjithmonë lind drita e Kosovës”, ka shkruar Bahtiri në Facebook.

Ndërsa, analistët kanë reaguar ndaj idesë që presidenti i ardhshëm i Kosovës të zgjidhet nga familja Jashari. Ata e konsiderojnë se Kulla e Jasharëve ka autoritet moral të qortojë dhe pajtojë liderët, por duhet të qëndrojë larg politikës dhe institucioneve shtetërore.

Ata shtojnë se Kosova është në një situatë të brishtë politike dhe zgjedhja e një presidenti të pa përgatitur politikisht do të rrezikonte stabilitetin e vendit. Sipas tyre, Rifat Jashari duhet të nderohet si “President Nderi”, ndërsa pozita e presidentit duhet t’i takojë një figurë me përvojë diplomatike, si aktualisht Vjosa Osmani,

Qarri: Kosova ka nevojë për president me përvojë diplomatike

ImageGani QarriFoto galeri
E në një prononcim për “Bota sot”, analisti politik, Gani Qarri ka vlerësuar se Kosova ndodhet në një situatë të brishtë politike dhe nëse dështon zgjedhja e presidentit brenda afatit kushtetues, vendi rrezikon të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme.

Sipas tij, Rifat Jashari duhej të ishte shpallur prej kohësh “President Nderi” për rolin dhe simbolikën kombëtare që përfaqëson, ndërsa posti i presidentit duhet t’i takojë një figure me përvojë të dëshmuar diplomatike, siç është aktualisht Osmani.

“Kosova aktualisht ndodhet në gjendje të atillë të brishtë politike, sa që nëse procesi i zgjedhjes së presidentes/it, të shtetit, dështon në afatin e paraparë kushtetues, vendi duhet të shkojë përsëri në zgjedhje të reja, vetëm dy-tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare, gjë që nuk do ishte e mirë për askënd, andaj kryeministri Kurti, LVV as partitë opozitare, nuk duhet të lëshohen në lojëra politike, e ti detyrojnë SHBA-të dhe faktorin ndërkombëtar, që për ta shpëtuar Kosovën nga një krizë e re, ta propozojnë vet, apo nxjerrin serish nga zarfi emrin e presidentes/it të ardhshëm të Kosovës.

Rifat Jashari, do duhej që moti të ishte shpallë “President NDERI” i Republikës së Kosovës, por politika e çuditshme vendosi ndryshe dhe për habi, kjo ende nuk ndodhi! Baca Rifat mund, duhet dhe meriton në kuptimin e plotë të fjalës, të nderohet edhe tani, madje që sot-me këtë titull të respektuar (dhe jo një emër tjetër) ngase gjithmonë, ai veçanërisht ka qenë koshientë në qëndrimin e vazhdueshëm atdhetar, konsekuent në mbrojtjen me vendosmëri të trashëgimisë heroike, si dhe ka ruajtur personalisht me dukje e veprime, në mënyrën më të pastër-veprën patriotike të familjes.

Ky akt do të ishte një nderim i jashtëzakonshëm identitar edhe për popullin e Kosovës, simbolika më e qëlluar për lirinë që gëzojmë dhe krenari e përhershme për shqiptarët dhe mbarë vendin tonë, ndërsa presidente për përfaqësimin e shtetit në politikën e jashtme ndërkombëtare, duhet të jetë një figurë me përvojë në politikën e jashtme dhe me kualitete të dëshmuara diplomatike, prezantuese aktive, njohëse e mirë e anglishtes dhe gjuhëve tjera të huaja dhe përfaqësuese e shquar si presidentja aktuale dr. Vjosa Osmani që ka treguar se di, mundet dhe guxon ta faktorizojë shtetin tonë të pavarur, kudo në botë”, ka theksuar ai.

Tutje, Qarri e ka komentuar edhe deklaratën e Bahtirit, por ka theksuar se nuk sheh ndonjë emër nga familja Jasahri që aktualisht të jetë i përgatitur politikisht dhe diplomatikisht për ta përfaqësuar me sukses shtetin përballë sfidave të mëdha gjeopolitike.

“Kështu që përkundër shprehjes së dëshirave emocionale të Agim Bahtirit e të ndonjë tjetri dhe spekulimeve që ai ka nxitur me deklaratat që presidenti i ardhshëm të vije nga familja Jashari, me gjithë respektin e pafund për flijimin e madh historik të kësaj familje, nuk shoh asnjë emër të përgatitur mjaftueshëm politikisht as të aftë sa duhet në mënyrë diplomatike, për ta përfaqësuar me sukses shtetin tonë të vogël, në gjendjen aktuale, përball sfidave të mëdha gjeopolitike globale me të cilat po ballafaqohet aktualisht mbarë bota”, ka nënvizuar ai.

Ai ka potencuar se është në interes të qytetarëve dhe shtetit që të shmangen krizat dhe ngërçet politike, duke lejuar mandatin e presidentes Osmani të vazhdojë, pasi vetëm ajo ka dëshmuar aftësi diplomatike dhe përvojë për të përfaqësuar Kosovën me dinjitet në arenën ndërkombëtare.

“Ndryshe nëse Kurti dhe LVV bashkë me partitë opozitare, megjithatë tani lëshohen bashkarisht në lojëra të pandershme, për t`ia ndërprerë sukseset dr. Vjosa Osmanit, në fushën diplomatike, përfaqësimin ekscelent të Republikës në politikën e jashtme dhe avancimin e faktorizimit të shtetit të pavarur të Kosovës, në arenën ndërkombëtare, populli i këtij vendi, do të di ta ndëshkojë edhe Kurtin dhe LVV, në momentin dhe kohën e duhur, njëjtë siç i ka ndëshkuar edhe partitë tjera.

Ndaj do të ishte mirë për qytetarët dhe vet shtetin e Kosovës, që LVV dhe të gjitha partitë politike të kenë kujdes me lojërat e tyre, dhe veçanërisht tani kur mezi u krijuan institucionet legjitime të shtetit, të mos synojnë përsëritjen e krizave apo krijimin e ngërçeve të reja politike, e ti detyrojnë SHBA-të dhe faktorin ndërkombëtar, të vendosin për presidenten/in e vendit.

Duhet pasur parasysh faktin, se për Kosovën si një shtet i ri dhe i vogël, i papranuar akoma në OKB dhe shumë organizata tjera të rëndësishme ndërkombëtare, vetëm dr. Vjosa Osmani ka dëshmuar se di, guxonë dhe mund të jetë e suksesshme në faktorizimin, prezantimin dhe përfaqësimin me dinjitet, të vendit tonë, në arenën ndërkombëtare, andaj do të ishte e udhës që asaj edhe ti vazhdohet mandati si presidente, ndryshe një mandat prej 5 vitesh, vërtetë janë shumë, që shteti ynë i brishtë, të përfaqësohet nga një “president” amator e pa përvojë as fillestare diplomatike edhe nëse këtë e kërkuaka Bahtiri apo partitë opozitare, të cilat na quan katër herë brenda vitit në zgjedhje dhe lanë vendin mese një vit pa institucione shtetërore.

Në fazën e zhvillimeve aktuale gjeostrategjike në botë, është shumë e domosdoshme që të kihet parasysh nga i gjithë faktori politik se, vendit tonë i duhet një personalitet i shquar, i ditur dhe me përvojë të pasur diplomatike, i sprovuar mirë me zhvillimet e kohës dhe i gatshëm për përshtatje edhe me ndryshimet e situatave në politikën e jashtme botërore, si dhe njohëse e zhvillimeve gjeostrategjike të proceseve në bashkësinë ndërkombëtare, me aftësi të dëshmuara në marrëdhëniet bilaterale, komunikimin e duhur dhe efektiv me personalitete të rëndësishme evropiane e botërore si zonja dr, Vjosa Osmani”, ka shtuar ai.

Po ashtu, Qarri ka shtuar se zgjedhja e presidentit është përgjegjësi e të gjithë spektrit politik, veçanërisht e Lëvizja Vetëvendosje si partia fituese.

“Përgjegjësia për zgjedhjen e personalitetit të duhur për të parin e shtetit në këto momente të tendosura ndërkombëtare, nuk bie mbi një person as parti, por mbi të gjitha segmentet politike në vend, veçanërisht mbi partinë fituese të zgjedhjeve, e cila edhe pas fitores, nuk duhet ta harrojë përgjegjësinë që ka para popullit të Kosovës për mbarëvajtjen dhe mbrojtjen e interesave të shtetit.

Madje LVV si partia e parë dhe më e madhe në vend, e ka obligim që para pëlqimeve personale e grupore, tu jap prioritet interesave madhore të shtetit dhe të shmangë me çdo kusht, çfarëdo lloj të eksperimentimeve me emra amator dhe pa asnjë përvojë politike e diplomatike, për president të vendit, para zhvillimeve kaq dramatike, politike dhe ushtarake botërore.

Kryeministri Kurti dhe LVV, duhet të jenë të vetëdijshëm se megjithëse i kanë fituar zgjedhjet për herë të dytë, apo të tretë, nuk guxojnë të luajnë me fatin e shtetit të Kosovës për interesa politike, në kohën e zhvillimeve kaq të trazuara gjeopolitike botërore”, ka vlerësuar Qarri.

Ai ka cilësuar se për të mposhtur krizën politike dhe për të garantuar zgjedhjen e një presidenti të aftë, Kosova duhet të ndryshojë Kushtetutën, duke e zgjedhur kreun e shtetit me votën e lirë të qytetarëve.

“Shkurt e shqip, që ti jepet fund, njëherë e mirë, kësaj gjendje absurde dhe në mënyrë që zgjedhja e presidentit të vendit, të vendoset nga Sovrani, e të mos jetë më pjesë e pazareve të kalkuluara, ndërmjet partive të çakorduara politike, Kosova në këtë mandat qeverisës, duhet medoemos ta bëjë ndryshimin e Kushtetutës dhe kreu i shtetit të zgjidhet me votën e lirë të qytetarëve, një personalitet i aftë politik dhe kuadër i dëshmuar diplomatik që arrin ta bindë faktorin ndërkombëtar, për faktorizimin e shtetit tonë të pavarur, avancon mbështetjen e interesave të vendit tonë dhe sjell njohje të reja e anëtarësime të Kosovës në organizata të rëndësishme ndërkombëtare.

Sa i takon unitetit të brendshëm politik, kjo as që guxon të përdoret si arsyetim, për vet faktin se u pa mirë për më tepër se një vit, me ngërçin politik, që partitë aktuale, nuk ka personalitet që i unifikon, vetëm vota e Sovranit është ajo që ka forcë ti ulë në tokë dhe ti sjellë në rrugën e duhur.

Kështu që, më duhet ta përsëris edhe njëherë, se LVV as partitë opozitare, për postin e të parit të shtetit dhe përfaqësimin e Republikës në arenën ndërkombëtare, nuk duhet ta qojnë serish punën, që emrin për president ta “imponojë” bashkësia ndërkombëtare.

Albin Kurti dhe askush tjetër, për asnjë arsye as pretendim, nuk guxon ti rrezikojë interesat e shtetit të Kosovës dhe të lëshohet në emërimin e kandidaturave të papërvojë politike e diplomatike, të paaftë për ta kryer si duhet punën e presidentit të vendit, por të gjithë bashkë, duhet të përcaktohen për personalitetin më të shquar, e që aktualisht, më së miri do të ishte ti vazhdohet mandati edhe për periudhën e ardhshme 5 vjeçare presidentes aktuale zonjës dr. Vjosa Osmani e cila ka shkëlqyer në përfaqësimin e vendit, faktorizimin e shtetit në arenën ndërkombëtare, sjelljen e njohjeve të reja dhe krijimin e miqësive me personalitetet më të shquara botërore, gjë që shkon në interesin madhor të vendit dhe garanton ardhmëri më të sigurt për Republikën e Kosovës”, ka përfunduar Qarri.

Muçiqi: Jasharët nuk janë për kalkulime politike, por për unitet kombëtar

ImageIsmail MuçiqiFoto galeri
Ndërkaq, opinionisti Ismail Muçiqi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se ideja që Presidenti të zgjidhet nga familja Jashari është gabim dhe manipulim me një familje që duhet të mbetet simbol kombëtar mbi politikën.

Sipas tij, përfshirja në karrierë politike shpesh i dëmton dhe i njollos figurat publike.

“Kalkulimet dhe eksperimentet, për të cilat po flitet se Presidenti duhet të zgjidhet nga familja Jashari, mendoj se është një gabim i pafalshëm dhe manipulim me familjen emblematike të Rifat Jasharit. Familja Jashari është dhe do të duhet të mbetet institucion dhe vlerë kombëtare për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Koha ka treguar se karriera politike pothuajse gjithmonë i ka zhveshur dhe degraduar politikanët gjatë historisë. Pak kush ose fare ka mbetur pa u njollosur gjatë qëndrimit në krye të institucioneve të shtetit”, ka thënë ai.

Gjithashtu, Muçiqi ka shtuar se Kulla e Jasharëve ka autoritet moral t’i thërrasë, t’i qortojë dhe t’i pajtojë liderët kur ka përçarje, gjithmonë në të mirë të shtetit dhe popullit.

“Andaj familja Jashari, si institucion kombëtar, mendoj se duhet të qëndrojë larg përfshirjes në politikë dhe në pozitat institucionale të Republikës së Kosovës. Kulla e Rifat Jasharit është simbol që e ka të drejtën morale t’i thërrasë t’i takojë e ti qortoj liderët apo përfaqësuesit e shtetit, të cilët kanë mosmarrëveshje mes veti, t’i qortojë dhe t’i pajtojë në të mirë të shtetit dhe popullit”, ka përmbyllur Muçiqi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *