POLITIKATË FUNDIT

e-Shoqëri.mk: Deri ku është Ballkani në Agjendën digjitale?

Diskutimi në panel i parë në kuadër të Konferencës e-Shoqëri.mk ishte me temë “Obzervim mbi Agjendën digjitale – Ku ndodhet për momentin Ballkani Perëndimor?”. Agjenda digjitale e BE-së për Ballkanin Perëndimor u miratua nga të gjithë gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor në vitin 2018 në Sofje, e në këtë sesion diskutohej mbi statusin dhe përparimin e implementimit të Agjendës digjitale në vendet e Ballkanit Perëndimor. Përndryshe, pikërisht projekti “Rritja e pjesëmarrjes së qytetarëve në Agjendën digjitale – ICEDA”, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian, implementohet nga Fondacioni Metamorfozis, raporton Portalb.mk.

Snezhana Nikçeviq nga organizata joqeveritare 35 mm nga Mali i Zi në panel diskutimin u fokusua tek gjendja në vendin e saj, dhe përmendi se strategjia e parë për transformim digjital është miratuar vitin e kaluar. Ajo përmendi se në perceptimin e transformimit digjital janë me rëndësi kyçe nëpunësit publikë si një lidhje midis institucioneve dhe qytetarëve, gjegjësisht gatishmëria e tyre që të merren me transformimin digjital.

Ajo përmendi se në Mal të Zi pak njerëz i shfrytëzojnë shërbimet digjitale dhe mund të vërehet rritje e shërbimeve, por kjo fillimisht ka të bëjë me 3-4 shërbime që janë të detyrueshme online, siç janë: aplikime për studime nëpër fakultete ose aplikime për bursa nëpër institucione.

Në pjesën e transformimit digjital, Nikçeviq përmendi se gjendja në Mal të Zi është e mirë nëpër komunat më të mëdha, por nëpër komunat më të vogla rurale është shumë e keqe. Pikërisht për këtë, një nga gjërat të cilave duhet t’u kushtojmë më shumë vëmendje është edukimi digjital, dhe për këtë duhet të gjithë së bashku të punojmë me qytetarët.

Në Mal të Zi, i cili është pjesë e rrjetit ICEDA, përveç OJQ-së 35 mm, ka edhe tetë partnerë nga shoqëria civile, pesë partnerë mediatik dhe tre institucione, e ky është bashkëpunimi që është formuar për implementimin e agjendës digjitale.

“Duhet të ketë qasje të ndryshme që të jetë më e prekshme për njerëzit që nuk dinë të përdorin shërbime të caktuara digjitale. Është shumë me rëndësi të punohet me organizatat që janë në terren që të punojnë me qytetarët”, deklaroi Snezhana Nikçeviq.

Ariana Gjyli nga Të dhënat e hapura nga Kosova në debat tha se Kosova është vendi i fundit që e aplikoi platformën kombëtare për e-shërbime “E-Kosova”. Megjithatë, kjo platformë e centralizuar është bërë funksionale në vitin 2021 fillimisht për shkak të pandemisë me COVID-19 dhe nevojës për vaksinim.

Atëkohë qytetarët ishin qenë të detyruar të regjistrohen nëpërmjet Platformës që të vaksinohen kundër COVID-19, por “E-Kosova” filloi të ofrojë edhe shërbime të tjera digjitale, kështu një shërbim i digjitalizuar së fundmi është regjistrimi i automjeteve në Kosovë, e tani qytetarët nuk duhet të shkojnë nëpër komuna ose qendra të tjera të sigurojnë dokument për regjistrimin e automjetit.

“Në tre vitet e fundit në Kosovë ka një progres të dukshëm. Kemi bërë punë të shkëlqyer, por ka hapësirë për progres edhe në të ardhmen në Kosovë”, tha Ariana Gjyli.

Aldo Merkoçi nga lëvizja “MJAFT” nga Shqipëria tha se Shqipëria i digjitalizoi absolutisht të gjitha shërbimet dhe u ekspozua shumë ndaj sulmeve kibernetike. Në vitin 2019 Shqipëria e filloi procesin e digjitalizimit dhe gjatë këtij viti filloi implementimi i sistemeve dhe shërbimeve nëpërmjet platformës digjitale për e-shërbime “E-Albania”.

Gjatë pandemisë së COVID-19, Shqipëria në vitin 2020 u kthye kah sigurimi i 220 e-shërbimeve, me përjashtim të një numri të madh shërbimesh që nuk sigurohen online për momentin (rinovimi i pasaportave, lejeve të vozitjes etj.), thotë ai.

Merkoçi shtoi se në fillim Shqipëria ka qenë një histori shumë e suksesshme dixhitale, kështu në vitin 2020 deri në vitin 2022 shumica e shërbimeve tashmë janë lëshuar online nga shteti dhe komunat për qytetarët. Për sigurinë kibernetike Shqipëria e ka marrë shembullin e Estonisë. Qeveria Shqiptare i ka kushtuar kujdes rritjes së edukimit digjital të qytetarëve, mbi atë se si të migrohet online, por edhe si të bëhet një agjenci e cila do të ketë përgjegjësi për të gjitha 55 bazat e të dhënave që do të integroheshin në sferën online.

Megjithatë, Aldo Merkoçi përmendi se këtë vit ka ndodhur sulmi më i rrezikshëm kibernetik në Shqipëri.
“Kishim transferuar çdo gjë online dhe prandaj edhe u bëmë objekt i sulmeve online”, tha ai dhe shtoi se nga ato 55 baza janë marrë shumë të dhëna.

Pas këtij sulmi, çdo javë nëpërmjet grupit Lufta shqiptare për demokraci nëpërmjet Viberit janë lëshuar në publik të dhëna të ndryshme për qytetarët, janë publikuar edhe të dhëna private të qytetarëve, duke përfshirë numra telefonash celularë, numra të votuesve, data lindjesh të qytetarëve dhe regjistrime të automjeteve. Gjithashtu, lloji i dytë i informacioneve të lëshuara në publik pas sulmeve kibernetike janë listat e të punësuarve në administratën publike, gjë që është shumë e rrezikshme, theksoi Merkoçi.

“Jemi të lumtur që kishim 220 e-shërbime të digjitalizuara, por jemi edhe të shqetësuar për momentin se si do të dalim prej këtyre e-kërcënimeve nën të cilat ra Shqipëria”, deklaroi Merkoçi.

Përfundimisht, Predrag Topiq nga Ura$Krijime/DX Lab nga Serbia në panel diskutimin tha se raporti i hulumtimit rajonal për transformimin dixhital të vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili është i përpiluar në kuadër të ICEDA-s, tregon sa shumë gjëra në rajon ka ndryshuar pandemia e COVID-19.

“Ajo ndikoi shumë mbi agjendën digjitale, funksionoi edhe si mundësues dhe edhe si imponues i agjendës digjitale. Pamë shumë qytetarë më të moshuar të përdorin e-shërbime, ndërsa nga ana tjetër pamë edhe shumë strategji dhe dokumente që u ndaluan, ose nuk vazhduan, sepse qeveritë kishin prioritete tjera”, tha Topiq.

Ai përmendi se vullnet politik midis vendeve te Ballkanit Perëndimor gjithmonë ka pasur, janë përpiluar strategji dhe plane aksionare për transformim digjital, por ajo që mungon është implementimi i cili po vonon. Nga aspekti i koordinimit në nivel kombëtar, tek vendet ka një agjendë qendrore që i udhëheq përpjekjet ose ndonjë ministri që punon për transformimin digjital.

“Një nga poentat kyçe, parakushti më i rëndësishëm është edukimi digjital i cili është i domosdoshëm që të jetojë agjenda dixhitale. Vetëm Maqedonia e Veriut dhe Serbia kishin një farë lloj masash për ndjekjen e edukimit dixhital”, tha Topiq dhe shtoi se në rajon nuk ka një mënyrë të vetme dhe standarde për matjen e aftësive dixhitale, në cilindo prej pesë shteteve të Ballkanit Perëndimor.

“Ky është rekomandim dhe fokus për periudhën në vijim”, theksoi Predrag Topiq.

Treguesi më i rëndësishëm, sipas tij, janë numrat e shfrytëzuesve të e-shërbimeve, që dallojnë nga shteti në shtet. Shqipëria ka shkuar krejtësisht online, të gjitha shërbimet publike janë në dispozicion vetëm online dhe mbi 90 përqind e popullatës është e regjistruar në portalin kombëtar për e-shërbime. Kosova ka 37 përqind, Mali i Zi ka 13 përqind, Maqedonia e Veriut 4 përqind, ndërsa Serbia është diku tek 15-20 përqind sa i përket popullatës së regjistruar në portalin kombëtar për e-shërbime.

Predrag Topiq shtoi se i gjithë rajoni duhet të bëjë kujdes, nëse dëshirojnë që ta përmirësojnë agjendën dixhitale.

“Pjesa e komunikimeve, qytetari i thjeshtë edhe sot e kësaj dite është konfuz për këtë që e flasim, të gjithë duan të kenë një interface më të thjeshtë, të kryejnë punë, shpejt, lehtë dhe me sukses”, tha ai, duke shtuar se ka një përparim të vogël, por stabil në tre vitet e fundit në agjendën dixhitale.

Kristina Mand nga Akademia për e-Qeverisje nga Estonia në panel diskutim përmendi shtatë pikë në aspekt të transformimit dixhital që i ka vërejtur në dy e gjysmë vitet e kaluara midis vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Midis tjerash, ajo e theksonte kuptimin e higjienës apo sigurisë kibernetike.

“Ka kuptim të qartë te shtetet se shoqëria dhe shërbimet dixhitale nuk mund të ekzistojnë pa një kornizë të fortë të sigurisë kibernetike. Ajo që ndodhi në Shqipëri është shembull i mirë, sepse kjo është çështje e sigurisë kibernetike”, tha Mand.

Kyçja e qytetarëve në transformimin dixhital në vitet e fundit është shumë me rëndësi, sepse në vendet e Ballkanit Perëndimor ka pasur rritje të kërkesës nga qytetarët. Megjithatë, ajo që mungon është stabiliteti dhe angazhimi politik i përcjellë me dorëzim.

“Vetë teknologjia nuk do ta bëjë shtetin më të mirë, nevojitet këmbëngulje dhe qasje sistematike”, theksoi Kristina Mand.

Nga aspekti i pajisjes me aftësi digjitale dhe edukim digjital, Mand përmendi se është shumë me rëndësi të ketë iniciativa dhe projekte të mira që duhet patjetër të kenë mbështetje të vazhdueshme. Ajo shtoi se nëse sektori privat ose organizatat e qytetarëve mund të bëjnë diçka më mirë, atëherë partneriteti publiko-privat është një gjë e mirë për tu implementuar diçka dhe duhet të ekzistojë besim për këtë gjë.

“Roli i organizatave të qytetarëve është i rëndësishëm, ato kanë qasje më të mirë deri te qytetarët më të cenueshëm dhe kur zhvillohet një shërbim i caktuar digjital, paramendoni ta keni këtë pjesë kyçëse, që të bëjë të mundur qytetarët të kyçen në transformimin dixhital”, porositit Kristina Mand në panel diskutim.

M. Z. Send an email 19:16, 06-12-2022

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *