Tahiri jep shifrën ‘drithëruese’: Vetëvendosje futi në Facebook 4 milionë euro për 4 vite
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka thënë të mërkurën se Lëvizja Vetëvendosje ka shpenzuar 4 milionë euro në rrjetet sociale për periudhën katër vjeçare 2017-2021.
Këtë Tahiri e tha teksa akuzonte Lëvizjen Vetëvendosje për lidhjen e tyre me ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj i cili akuzohet se ka pranuar mjete financiare nga kompania GEN në Beograd.
”Një mik i joni i jashtëm e ka bërë një vlerësim të rrjeteve sociale të Lëvizjes Vetëvendosje dhe nga viti 2017 e deri në vitin 2021. Dyshojmë që për katër vjet kanë shpenzuar 4 milionë euro në platformat rrjetet sociale”, ka thënë Tahiri në Pressing të T7.
Ai po ashtu ka thënë se të gjitha rrjetet sociale kanë qenë të dominuara nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Një faqe me kryeministrin shkonte 300 mijë për një ditë”, tha Tahiri.
“Ne kemi të drejtë të dyshojme se ato mjete financiare kanë shkuar për fushatën e Lëvizjes Vetëvendosje”, ka deklaruar Tahiri.