POLITIKATË FUNDIT

Kurti për The Times: Gjykata Speciale mund ta ndihmojë Serbinë ta rishkruajë historinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka thënë gazetës britanike, The Times, se është i shqetësuar se Gjykata Speciale mund ta ndihmojë Serbinë ta “rishkruajë historinë”.

“Ata e çliruan Kosovën, ata e duan Perëndimin… tani ata akuzohen për krime lufte”, është titulli i artikullit të gazetës londineze, që e ka marrë edhe qëndrimin e Kurtit në lidhje me nisjen e gjykimit ndaj ish-udhëheqësve politikë dhe ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kurti ka thënë se kurrë nuk e ka mbështetur Gjykatën Speciale.

“Unë e mbështes llogaridhënien për luftën. Megjithatë, më duket e padrejtë që në qendër të vëmendjes po vihet Kosova, ndërsa Serbia jo vetëm që ka refuzuar ta marrë përgjegjësinë për krimet e saj, por edhe i mohon ato”, ka thënë Kurti.

Gjykata gjithashtu do ta inkurajonte “lojën” rajonale të Rusisë për ta minuar Kosovën, e cila është qeverisur si një protektorat i OKB-së dhe, që nga viti 2008, si një shtet i pavarur, ashtu siç ka filluar të bëjë përparim në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të shfrenuar, si dhe në zgjerimin e ekonomisë së saj, shkruan gazeta britanike, përcjell Gazeta Express.

Kurti beson se Kremlini pa në Kosovë dhe në Ballkan një “front të dytë” të mundshëm kundër NATO-s pas pushtimit të Ukrainës.

“Kosova është një histori suksesi e NATO-s. Rusët duan që ajo të dështojë”, ka thënë Kurti. Në dhjetor, kujtoi ai, një grup i madh anëtarësh të Narodne Patrole, një organizatë nacionaliste serbe e lidhur me grupin paramilitar rus Wagner, u grumbulluan në anën serbe të kufirit me Kosovën, duke kërcënuar se do të përballeshin me trupat e NATO-s.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *