LAJME PLUS

Çitaku i reagon Speciales për shujtat, dhe përmend dosje nga Serbia

Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka kërkuar nga Gjykata Speciale të sqarojë se si i verifikoi rreth 2.356 dokumente të ardhura nga Serbia, të cilat, sipas saj, u pranuan si prova në procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Duke reaguar ndaj komunikatës së Speciales për kushtet e paraburgimit, Çitaku kritikoi gjykatën për atë që e cilësoi si zhvlerësim të dëshmive të zyrtarëve të lartë të NATO-s, SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe OKB-së në aktgjykimin e 16 shtatorit.

“E morëm vesh, Speciale, sa herë në ditë shtrohet sofra në Hagë. Tani na tregoni si u gatua kjo padrejtësi”, ka shkruar Çitaku.

Ajo vuri në pikëpyetje edhe mundësinë që pati mbrojtja për t’i kundërshtuar provat. Sipas saj, në proces u pranuan 164 deklarata me shkrim pa iu dhënë mbrojtjes mundësia t’i merrte në pyetje personat që i kishin dhënë, ndërsa rreth 2.000 prova u pranuan pasi prokuroria kishte përfunduar paraqitjen e rastit të saj.

Çitaku kritikoi edhe vendimin për të mos e lejuar Hashim Thaçin të merrte pjesë në varrimin e babait të tij, duke iu referuar njoftimit të gjykatës se të paraburgosurit kanë dhjetë ditë vizitash në muaj.

“Sa ditë i duhen një djali për të marrë pjesë në varrimin e të atit? Vetëm një. Pikërisht atë ditë ia mohuat”, ka shkruar ajo.

Duke përmendur vendimet në apel në rastet e Pjetër Shalës dhe Salih Mustafës, Çitaku e cilësoi të domosdoshme një analizë të pavarur të aktgjykimit të 16 shtatorit. Ajo tha se do të vazhdojë angazhimi për miratimin e ligjit që PDK-ja e ka propozuar për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së, për zbatimin e strategjisë shtetërore për apel dhe për lobim ndërkombëtar.

“Do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë që e vërteta të triumfojë në apel”, ka shkruar Çitaku.

Postimi i plote: 2.356 dokumente nga Serbia në dosje, ajër i pastër dhe tri shujta në ditë në komunikatë.

E morëm vesh, Speciale, sa herë në ditë shtrohet sofra në Hagë. Tani na tregoni si u gatua kjo padrejtësi.

Rreth 2.356 dokumente nga Serbia u pranuan si prova në Gjykatën Speciale. Dëshmitë e zyrtarëve të lartë të NATO-s, SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe OKB-së nuk morën peshën që meritonin në aktgjykimin e 16 shtatorit. Pas gjashtë vjetësh paraburgim për ish-krerët e UÇK-së, Specialja ka zgjedhur të na tregojë se u shërben tri shujta në ditë dhe se ata kanë të drejtë të dalin në ajër të pastër.

Po, e lexuam menynë. Tani të flasim për dosjen dhe drejtësinë.

Si u verifikuan ato 2.356 dokumente të ardhura nga Serbia, shteti që ende e quan UÇK-në organizatë terroriste? Çfarë mundësie pati mbrojtja për t’i kundërshtuar? Zyrtarët ndërkombëtarë që kishin qenë të angazhuar drejtpërdrejt në Kosovë u dëgjuan në sallë. Kur erdhi puna te aktgjykimi, dëshmitë e tyre u zhvlerësuan. Pse? Si?

Në të njëjtin proces u pranuan 164 deklarata me shkrim, pa i dhënë mbrojtjes mundësinë t’i merrte në pyetje personat që i kishin dhënë. Rreth 2.000 prova u pranuan pasi prokuroria e kishte mbyllur paraqitjen e rastit të saj. Në ç’rrethana quhet kjo barazi mes palëve?

Dhe pastaj vjen abuzimi me njerëzoren. Hashim Thaçi nuk u lejua t’i jepte lamtumirën e fundit babait të tij. Vëllezërve u mohohet takimi me vëllezërit e tyre, në derë të shtëpisë. Por Specialja po na kujton me përpikëri se ka dhjetë ditë vizitash në muaj. Sa ditë i duhen një djali për të marrë pjesë në varrimin e të atit? Vetëm një. Pikërisht atë ditë ia mohuat.

Kur vetë Gjykata ka konstatuar gabime në rastet e Pjetër Shalës dhe Salih Mustafës, duke rrëzuar në apel disa prej gjetjeve të fajësisë në rastin e Shalës dhe duke ulur dënimin në rastin e Mustafës, kërkesa për një analizë të pavarur të aktgjykimit të 16 shtatorit është e domosdoshme.

Prandaj, si shtet e si shoqëri, nuk do të zmbrapsemi. Do ta çojmë përpara ligjin për mbrojtjen e çlirimtarëve tanë, do ta zbatojmë strategjinë shtetërore për apelin dhe do të lobojmë e ta ngremë zërin anembanë botës.

Do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë që e vërteta të triumfojë në apel.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *