“Kryeministri me jo më shumë se dy mandate dhe lista të hapura”, Sindikata e Universiteteve: 15 propozime për reformën zgjedhore
Sindikata e Universiteteve të Shqipërisë ka paraqitur 15 propozime për reformën zgjedhore, ku në fokus janë kalimi në sistemin proporcional kombëtar me lista plotësisht të hapura dhe kufizimi i mandatit të kryeministrit në jo më shumë se dy mandate.
Propozimet janë bërë publike përmes një letre të hapur, të datës 26 nëntor 2026, drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, kryetarëve të grupeve parlamentare, si dhe bashkëkryetarëve dhe anëtarëve të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore.
Në letrën e tyre, përfaqësuesit e sindikatës argumentojnë se reforma duhet të rikthejë besimin e qytetarëve te vota dhe institucionet demokratike. Ata vënë në dukje se prej muajsh studentë, pedagogë dhe qytetarë protestojnë në Tiranë dhe qytete të tjera, duke theksuar se një protestë e tillë tregon se një pjesë e shoqërisë nuk ndihet e përfaqësuar dhe nuk beson se institucionet u përgjigjen shqetësimeve të saj, njofton Euronews Albania.
Sindikata ndalet edhe te rekomandimet e ODIHR-it për zgjedhjet e vitit 2025, duke theksuar se shumë prej rekomandimeve të mëparshme mbeten ende të pazbatuara.
Ndër kërkesat kryesore është kalimi në një sistem proporcional kombëtar me lista plotësisht të hapura, ku votuesit të kenë të drejtë të votojnë deri në tre kandidatë. Gjithashtu, kërkohet që pragu zgjedhor të mos jetë më i lartë se 3% dhe të lejohen koalicionet parazgjedhore.
Një tjetër propozim lidhet me diasporën. SPUSH kërkon që shqiptarët që jetojnë jashtë vendit të mos kenë vetëm të drejtën e votës, por edhe përfaqësuesit e tyre në Kuvend, përmes një numri të përcaktuar mandatesh.
Në paketën e propozimeve përfshihet edhe mundësia që iniciativat qytetare të regjistrohen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si subjekte elektorale, si për zgjedhjet parlamentare, ashtu edhe për ato vendore, duke gëzuar të njëjtat të drejta si partitë politike.
Sa i përket pushtetit vendor, sindikata propozon që kryetarët e bashkive dhe drejtuesit e njësive administrative të zgjidhen drejtpërdrejt nga qytetarët, përmes dy raundeve votimi dhe për jo më shumë se dy mandate. Ndërkohë, anëtarët e këshillave bashkiakë propozohet të zgjidhen me lista plotësisht të hapura, ku votuesit të mund të votojnë deri në tre kandidatë.
Në fokus të propozimeve është edhe administrimi i zgjedhjeve. SPUSH kërkon riformatimin dhe ristrukturimin e KQZ-së, në mënyrë që procesi zgjedhor të administrohet nga institucione të paanshme dhe jopartiake, të drejtuara nga profesionistë me integritet të provuar.
Gjithashtu, propozohet rikthimi i votimit tradicional me fletë letre, ndërsa numërimi të kryhet përmes leximit digjital me skanim optik të fletëve të votimit. Një tjetër kërkesë është përzierja e votave të kutive të çdo njësie administrative gjatë numërimit, me qëllim shmangien e identifikimit të votës së zgjedhësve.
Një nga pikat që spikat në paketën e propozuar është kufizimi i mandatit të kryeministrit. Sindikata kërkon që kreu i qeverisë të mos e ushtrojë detyrën për më shumë se dy mandate.
Për zgjedhjen e Presidentit, SPUSH propozon që ai të zgjidhet nga Kuvendi në jo më shumë se tre raunde votimi, përmes një konsensusi të gjerë politik mes pozitës dhe opozitës. Në rast se ky konsensus nuk arrihet, sindikata kërkon që brenda 45 ditëve Presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët.
Në përfundim të letrës, Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë shprehet e gatshme t’i paraqesë dhe diskutojë propozimet në Komisionin e Reformës Zgjedhore, duke vënë në dispozicion edhe ekspertizën e anëtarëve të saj.
