Robin Krasniqi e ‘godet’ Nelson Hysën për meçin mbrëmë, befasi se çka i tha!
Boksieri shqiptar, Robin Krasniqi, ka reaguar ashpër pas meçit të mbrëmshëm mes Hysës dhe Agit Kabayelit, duke shprehur zhgënjimin e tij për mënyrën se si përfundoi përballja.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Krasniqi ka kritikuar atë që e quan dukuri shqetësuese në boksin shqiptar, duke ngritur pikëpyetje për mënyrën se si ndërtohen disa karriera në boksin profesionist dhe për cilësinë e kundërshtarëve me të cilët përballen boksierët.
Ai ka thënë se humbjet janë pjesë e sportit dhe se një boksier mund të mposhtet edhe nga një kundërshtar dukshëm më i fortë, por mënyra se si, sipas tij, Hysa u dorëzua në ring ishte e papranueshme.
“Kurrë nuk jam ndier më i fyer se mbrëmë!”, ka shkruar Krasniqi në fillim të reagimit të tij.
Tutje, ai ka theksuar se ndien turp si sportist për atë që pa në ring, duke përmendur edhe përgjegjësinë që boksierët kanë ndaj tifozëve shqiptarë, veçanërisht në një datë simbolike si 28 Nëntori.
Në fund, Krasniqi u ka bërë thirrje të rinjve që t’i qasen boksit me seriozitet, përkushtim dhe shpirt luftarak, duke mos ndërtuar karriera që nuk bazohen në përballje të mirëfillta sportive.\
Postimi i plote i Krasniqit:
Kurrë nuk jam ndier më i fyer se mbrëmë! Miq të dashur, siç e dini të gjithë, unë nuk jam sportist që flet shumë. Të gjithë karrierën time e kam ndërtuar me shumë punë e përkushtim, duke folur shumë pak apo duke heshtur plotësisht, si për duelet e mia, ashtu edhe për ato të kolegëve të mi, për të cilat kam folur edhe më pak. Por kësaj radhe nuk kam si të mos flas. E ndiej si obligim ndaj tifozëve të boksit të flas për një realitet dhe një dukuri që ka nisur ta njollosë rëndë boksin shqiptar. Epilogu i asaj dukurie të pahijshme, për të cilën do të flas në rreshtat në vazhdim, u pa mbrëmë më së miri. Nëse një karrierë në boksin profesionist ndërtohet me kundërshtarë jocilësorë, madje me shumë pikëpyetje edhe sa i përket sinqeritetit të dueleve, një ditë do të vijë koha kur do të përballesh me një kundërshtar të vërtetë. E tani, çfarë?
Atëherë do t’ju ndodhë të gjithëve ajo që i ndodhi mbrëmë kolegut tonë Hysa në ndeshjen me Kabayel. Ajo që pashë unë mbrëmë, më vjen shumë keq ta komentoj. Ndiej turp si sportist, sepse ne mund të humbim, mund të mos boksojmë bukur, kundërshtari mund të na deklasojë. Çdo gjë mund të ndodhë në ring, por të dorëzohemi në atë mënyrë qesharake, pa u goditur fare, është diçka e rëndë, duke pasur parasysh përgjegjësinë që kemi ndaj tifozëve dhe popullit tonë, e aq më tepër ndaj një dite të shenjtë si 28 Nëntori dhe ndaj flamurit tonë. Andaj, kam një apel për të gjithë të rinjtë: të marrin mësim nga kjo dukuri, të mos fillojnë apo të ndërtojnë karriera joserioze në boks, por t’i qasen këtij sporti fisnik vetëm e vetëm nëse e duan me të vërtetë dhe kanë zemër e shpirt luftarak. Ju faleminderit për mirëkuptimin! I juaji, Robin Krasniqi
