Çitaku kërkon llogari nga Specialja për mbi dy mijë dokumentet e ardhura nga Serbia
Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ka kritikuar Gjykatën Speciale për mënyrën e trajtimit të procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke kërkuar sqarime për pranimin dhe vlerësimin e provave në aktgjykimin e 16 shtatorit.
Përmes një reagimi në Facebook, Çitaku ka ironizuar me komunikatën e fundit të Gjykatës Speciale, në të cilën, sipas saj, janë theksuar kushtet e qëndrimit të të paraburgosurve në Hagë, përfshirë tri shujtat ditore dhe mundësinë për të dalë në ajër të pastër.
“E morëm vesh, Speciale, sa herë në ditë shtrohet sofra në Hagë. Tani na tregoni si u gatua kjo padrejtësi”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka ngritur pikëpyetje për pranimin e rreth 2.356 dokumenteve nga Serbia si prova në procesin gjyqësor, duke kërkuar sqarime se si janë verifikuar ato dhe çfarë mundësish ka pasur mbrojtja për t'i kundërshtuar.
Çitaku ka kritikuar edhe mënyrën e trajtimit të dëshmive të zyrtarëve të lartë të NATO-s, SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe OKB-së, për të cilat pretendon se nuk morën peshën e duhur në aktgjykim.
Ajo ka përmendur gjithashtu pranimin e 164 deklaratave me shkrim, pa mundësinë që mbrojtja t'i merrte në pyetje personat që i kishin dhënë, si dhe rreth 2.000 prova të pranuara pasi prokuroria kishte përfunduar paraqitjen e rastit të saj.
“Për çfarë barazie mes palëve bëhet fjalë?”, ka pyetur ajo.
Në reagimin e saj, Çitaku ka kritikuar edhe kufizimet që, sipas saj, u janë bërë ish-krerëve të UÇK-së dhe familjarëve të tyre, duke përmendur rastin kur Hashim Thaçit nuk iu lejua pjesëmarrja në varrimin e babait të tij.
Ajo ka kërkuar një analizë të pavarur të aktgjykimit të 16 shtatorit, duke iu referuar edhe vendimeve të shkallës së apelit në rastet e Pjetër Shalës dhe Salih Mustafës.
Në fund, ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së ka theksuar se Kosova nuk do të heqë dorë nga përpjekjet për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së.
“Do ta çojmë përpara ligjin për mbrojtjen e çlirimtarëve tanë, do ta zbatojmë strategjinë shtetërore për apelin dhe do të lobojmë e ta ngremë zërin anembanë botës”, ka shkruar Çitaku./Telegrafi/
