Dy vjet nga sulmi në Ibër-Lepenc: Nga shpërthimi në Zubin Potok te hetimet dhe procesi gjyqësor
Sulmi ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, i kryer më 29 nëntor 2024 në fshatin Varragë të Zubin Potokut, ishte një nga sulmet më të rënda ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës pas luftës.
Shpërthimi, i shkaktuar nga vendosja e një sasie të madhe eksplozivi, dëmtoi kanalin kryesor të furnizimit me ujë dhe nxiti një hetim të gjerë të institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë.
Rasti mori dimensione të mëdha politike dhe të sigurisë, për shkak të rëndësisë strategjike të kanalit, dyshimeve për përfshirjen e strukturave nga Serbia dhe zhvillimeve të mëvonshme në hetime e procedura penale.
Shpërthimi ndodhi rreth orës 19:00, më 29 nëntor 2024, në fshatin Varragë të Zubin Potokut. Sipas të dhënave që më vonë u përfshinë në aktakuzën e Prokurorisë Speciale, në kanal ishin vendosur rreth 20 kilogramë eksploziv i llojit TNT, i cili ishte aktivizuar përmes një fitili zjarrpërcjellës.
Shpërthimi dëmtoi rëndë strukturën e betonit të kanalit, duke ndërprerë përkohësisht furnizimin me ujë për disa zona të Kosovës. Rreziku ishte edhe më i madh për shkak se përmes këtij sistemi sigurohet uji i nevojshëm për ftohjen e termocentraleve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), të cilat prodhojnë pjesën dërrmuese të energjisë elektrike në vend.
Autoritetet u detyruan të ndërmarrin masa emergjente për riparimin e dëmit dhe sigurimin e furnizimit me ujë. Për fat të mirë, nga shpërthimi nuk pati persona të lënduar.
Në ditët pas shpërthimit, Policia e Kosovës zhvilloi disa operacione në veri të vendit, përfshirë bastisje në dhjetë lokacione. Gjatë këtyre operacioneve u sekuestruan armë, municion, uniforma ushtarake, eksplozivë dhe pajisje të tjera.
Në fazën e parë të hetimeve u shoqëruan disa persona, ndërsa dy vëllezërit Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq u arrestuan dhe u vendosën në paraburgim. Ata vazhdojnë të mbahen në paraburgim që nga fillimi i dhjetorit 2024.
Hetimet u zhvilluan nga institucionet e Kosovës, në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë. Në to u përfshinë edhe ekspertë të Byrosë Federale të Hetimit të SHBA-së (FBI), të cilët ndihmuan në ekzaminimin e provave nga vendi i ngjarjes.
Ndërkohë, autoritetet e Kosovës e akuzuan Serbinë dhe strukturat kriminale të lidhura me të për përgjegjësi në sulm. Beogradi i mohoi këto akuza dhe i cilësoi si të parakohshme.
Këto deklarime ishin pjesë e përplasjes politike pas sulmit, por përgjegjësia eventuale e ndonjë strukture shtetërore të Serbisë nuk duhet ngatërruar me përgjegjësinë penale që po shqyrtohet në gjykimin në Kosovë.
Përkundër arrestimeve dhe përfshirjes së ekspertëve ndërkombëtarë, hetimet zgjatën më shumë se një vit pa u ngritur aktakuzë.
Në përvjetorin e parë të sulmit, më 29 nëntor 2025, Prokuroria Speciale ende nuk kishte bërë publike përfundimet e hetimeve dhe se FBI-ja nuk kishte dhënë detaje për angazhimin e saj.
Prokuroria Speciale,kishte deklaruar se hetimet po vazhdonin dhe se prokurori kompetent po ndërmerrte të gjitha veprimet e nevojshme hetimore brenda afateve ligjore.
Në atë kohë, dy vëllezërit Viqentijeviq vazhdonin të qëndronin në paraburgim, ndërsa ende nuk ishte ngritur aktakuzë ndaj tyre.
Por, më 9 dhjetor 2025, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njoftoi ngritjen e aktakuzës ndaj tre personave: Dragisha Viqentijeviq, Jovan Viqentijeviq dhe Igor Dimoviq.
Ata akuzohen për disa vepra penale, përfshirë: Rrezikimin e rendit kushtetues përmes shkatërrimit ose dëmtimit të instalimeve dhe pajisjeve publike, kryerjen e veprës terroriste, armëmbajtjen pa leje, dhe spiunazh.
Sipas aktakuzës, Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq, së bashku me persona të tjerë ende të paidentifikuar, kishin planifikuar dhe realizuar vendosjen e rreth 20 kilogramëve TNT në kanalin e Ibër-Lepencit.
Prokuroria thekson se eksplozivi ishte vendosur në një çantë të lidhur me litar në një shtyllë betoni, në mënyrë që shpërthimi të shkaktonte dëme serioze në infrastrukturën kritike të furnizimit me ujë dhe energji elektrike.
Në aktakuzë thuhet se si pasojë e këtij veprimi u dëmtua rëndë struktura e kanalit, u ndërpre furnizimi me ujë për qytetarët e disa komunave dhe u rrezikua furnizimi me ujë i KEK-ut.
Dëmi material i shkaktuar ndërmarrjes Ibër-Lepenc është vlerësuar në 376 mijë e 774 euro, ndërsa prokuroria ka kërkuar që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të obligohen për kompensimin e këtij dëmi.
Një pjesë e rëndësishme e dosjes hetimore lidhet me provat materiale dhe ekspertizat shkencore.
Sipas aktakuzës, ekspertët e FBI-së kanë bërë krahasimin e mostrave të dheut të marra nga çizmet e dy vëllezërve Viqentijeviq me mostrat e mbledhura në vendin ku ndodhi shpërthimi. Prokuroria pretendon se mostrat kanë përputhje në strukturë, ngjyrë dhe përbërje.
Në dosje përfshihen edhe raporte të ekzaminimeve të ADN-së, raporte të Policisë së Kosovës, analizat e pajisjeve elektronike, si dhe ekspertiza të mbetjeve të eksplozivit të kryera me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë.
Prokuroria thotë gjithashtu se Jovan Viqentijeviq kishte lidhje me Shërbimin e Inteligjencës Ushtarake të Serbisë dhe se kishte mbledhur informacione e dokumente konfidenciale për t'ia dorëzuar këtij shërbimi.
Një tjetër element i përfshirë në dosje është deklarimi i Jovan Viqentijeviqit për trajnim në poligonin ushtarak serb “Pasulanske Livade”, në shtator të vitit 2023, dhe sipas dosjes së rastit të Banjskës, në këtë poligon ishin trajnuar edhe pjesëtarë të grupit të Milan Radoiçiqit.
Më 24 dhjetor 2025, në Gjykatën Themelore në Prishtinë u mbajt seanca fillestare, por ajo u ndërpre pasi avokati i Jovan Viqentijeviqit, Nebojsha Vllaiq, kërkoi përjashtimin e prokurorit special Bekim Kodraliu nga rasti.
Mbrojtja pretendoi se prokurori nuk kishte trajtuar me kujdes të barabartë provat që mund të shkonin në favor të të akuzuarve.
Kodraliu i kundërshtoi këto pretendime, duke thënë se sulmi ishte përgatitur në mënyrë profesionale dhe të koordinuar dhe se hetimet ishin zhvilluar edhe me partnerë ndërkombëtarë.
Më 7 janar 2026, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, e refuzoi kërkesën për përjashtimin e Kodraliut.
Në seancën fillestare të 16 shkurtit 2026, të tre të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm për veprat që u vihen në barrë.
Gjykata më pas shqyrtoi kundërshtimet e mbrojtjes ndaj aktakuzës dhe kërkesat për shpalljen e provave të papranueshme. Më 31 maj 2026, Gjykata Themelore në Prishtinë konfirmoi aktakuzën, duke vlerësuar se provat e mbledhura nga Prokuroria Speciale ishin siguruar në mënyrë të ligjshme dhe duhej të shqyrtoheshin gjatë gjykimit.
Prokuroria dhe mbrojtja paraqesin qëndrimet
Më 9 korrik 2026, në Gjykatën Themelore në Prishtinë nisi shqyrtimi gjyqësor me paraqitjen e fjalëve hyrëse të palëve.
Prokurori special Bekim Kodraliu deklaroi se tre të akuzuarit ishin përgjegjës për sulmin dhe se ai ishte planifikuar me qëllim të shkaktimit të dëmeve sa më të mëdha, duke rrezikuar furnizimin me ujë të popullsisë dhe funksionimin e KEK-ut.
Ai tha se Prokuroria do të dëshmonte përfshirjen e tyre përmes analizave të ADN-së, ekspertizave të FBI-së dhe provave të tjera materiale.
Në anën tjetër, mbrojtja i kundërshtoi pretendimet e Prokurorisë, duke e cilësuar aktakuzën të njëanshme dhe të paqartë në përcaktimin e veprimeve individuale të secilit të akuzuar.
Avokati Nebojsha Vllaiq deklaroi se mbrojtja kishte propozuar dhjetë prova, ndërsa paralajmëroi dëgjimin e dëshmitarëve dhe prezantimin e incizimeve për të dëshmuar alibinë e klientit të tij.
Avokati Millosh Delleviq, i cili mbron Dragisha Viqentijeviqin, tha se do të paraqiste dëshmitarë dhe video-incizime që, sipas tij, do të tregonin se ku ndodhej klienti i tij në kohën e shpërthimit.
Ndërkaq, avokatja Jelena Krivokapiq, mbrojtëse e Igor Dimoviqit, pretendoi se armët e gjetura në shtëpinë e klientit të saj ishin pjesë e një koleksioni të vjetër dhe jofunksional.
Gjatë korrikut 2026, gjykimi vazhdoi me administrimin e provave dhe dëgjimin e dëshmitarëve.
Më 27 korrik, para gjykatës dëshmoi Ernest Kërçeli, drejtor i Infrastrukturës në ndërmarrjen Ibër-Lepenc dhe përfaqësues i palës së dëmtuar, ndërsa më 27 dhe 28 korrik u dëgjua edhe eksperti Fatmir Ademi, i cili kishte marrë pjesë në analizimin e mostrave të ADN-së.
Ademi shpjegoi se analizat laboratorike të mostrave ishin kryer në Prishtinë, ndërsa interpretimi i rezultateve ishte bërë në një laborator në Romë, për shkak të përdorimit të softuerit të specializuar.
Ai bëri të ditur se nga 51 dëshmi të ADN-së të analizuara, profilet e Jovan Viqentijeviqit dhe një personi tjetër të përfshirë në dosje nuk ishin përjashtuar nga përputhshmëria.
Në gjykatë dëshmoi edhe polici Astrit Hama, i cili tregoi për ndalimin e Jovan Viqentijeviqit më 1 dhjetor 2024, tri ditë pas shpërthimit.
Sipas dëshmisë së tij, Viqentijeviq ishte ndaluar gjatë patrullimit në një automjet me targa të Leskovcit, ku ndodheshin edhe dy persona të tjerë.
Polici tha se i akuzuari fillimisht ishte prezantuar me emrin Zoran dhe se në automjet kishte pasur dy telefona të mençur, një telefon tjetër dhe një zarf me 2.000 dinarë. Ai kishte vërejtur gjithashtu se personi kishte veshur uniformë ngjyrë kafe dhe çizme ushtarake.
Mbrojtja e ka kundërshtuar mënyrën e interpretimit të provave dhe ka paralajmëruar se do të paraqesë dëshmi për të kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë.
Zhvillimi më i fundit i raportuar në proces është ai i 11 nëntorit 2026, kur në Gjykatën Themelore në Prishtinë u mbajt një seancë me përbërje të re të trupit gjykues.
Ndryshimi erdhi pas pensionimit të gjyqtarit Vesel Ismaili. Trupin e ri gjykues tashmë e kryeson gjyqtari Leon Përlaska, ndërsa anëtarë janë Lutfi Shala dhe Kujtim Krasniqi.
Në këtë seancë, Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq, si dhe Igor Dimoviq, u deklaruan përsëri të pafajshëm.
Prokurori special Bekim Kodraliu tha se qëndronte prapa fjalës hyrëse të paraqitur më herët, ndërsa edhe palët e tjera konfirmuan qëndrimet e tyre të mëparshme, ndërsa pocedura gjyqësore ka vazhduar me këtë përbërje të re të trupit gjykues, ndërsa nuk është raportuar për ndonjë aktgjykim në këtë çështje.
Çfarë mbetet për t'u zbardhur?
Dy vjet pas shpërthimit, rasti i Ibër-Lepencit mbetet një nga proceset më të rëndësishme gjyqësore që lidhen me sigurinë dhe infrastrukturën kritike të Kosovës.
Prokuroria pretendon se ka prova materiale dhe ekspertiza që i lidhin dy vëllezërit Viqentijeviq me vendin e shpërthimit, ndërsa mbrojtja kundërshton këto pretendime dhe paralajmëron dëshmi për pafajësinë e klientëve të saj.
Përgjegjësia penale e tre të akuzuarve do të përcaktohet nga gjykata pas shqyrtimit të të gjitha provave.
Po ashtu, mbetet çështje me rëndësi zbardhja e plotë e organizimit të sulmit, identifikimi i personave të tjerë të mundshëm të përfshirë dhe verifikimi i pretendimeve të Prokurorisë për lidhjet me strukturat e sigurisë në Serbi./Telegrafi.
