82-vjetori i çlirimit të vendit, Begaj dhe Rama vendosin kurora me lule pranë memorialit “Nëna Shqipëri”
Shqipëria shënon sot 82-vjetorin e Çlirimit nga pushtimi fashist dhe nazist, shoqëruar edhe me homazhe te Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë.
Paraditen e kësaj të diele, presidenti Bajram Begaj dhe kryeministri Edi Rama zhvilluan ceremoninë përkujtimore te Varrezat e Dëshmorëve, ku vendosën kurora me lule pranë memorialit “Nëna Shqipëri”, në nderim të dëshmorëve të rënë gjatë Luftës Nacionalçlirimtare.
Sipas njoftimit të Kryeministrisë, Dita e Çlirimit vijon të përcjellë ndër breza kujtimin e sakrificës së Dëshmorëve të Atdheut, së bashku me mirënjohjen e përjetshme ndaj tyre.
“Shqipëria kremton sot 82-vjetorin e Çlirimit, një ditë e shënuar kombëtare në nderim të sakrificës, qëndresës dhe heroizmit të mijëra dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë e vendit. Në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit u zhvillua ceremonia shtetërore e Homazheve, ku Kryeministri Rama vendosi një kurorë me lule pranë Monumentit “Nënë Shqipëri” dhe u përkul në nderim të kujtimit të të rënëve. Dita e Çlirimit përcjell ndër breza kujtimin e sakrificës së Dëshmorëve të Atdheut dhe mirënjohjen e përjetshme për ta”, shkruan në njoftimin e saj zyra për shtyp e Kryeministrisë.
Çlirimi i vendit erdhi pas një periudhe pesëvjeçare pushtimi, që nisi më 7 prill 1939 me agresionin fashist italian. Pas kapitullimit të Italisë në vjeshtën e vitit 1943, Shqipëria kaloi nën pushtimin gjerman, ndërsa lufta çlirimtare arriti kulmin në nëntor të vitit 1944.
Gjatë atij nëntori, Tirana u çlirua më 17 nëntor, ndërsa çlirimi i Shkodrës dhe i zonës veriore më 29 nëntor i dha fund pushtimit gjerman në të gjithë territorin shqiptar. /rtsh.al/
