Besa Famgas fiton derbin në sekondat e fundit, Kastrioti dështon ta ndalë liderin
Besa Famgas ka marrë një fitore shumë të rëndësishme në garën për titullin e kampionit, pasi ka triumfuar në derbin e xhiros së dhjetë të Superligës së Kosovës në hendboll ndaj Kastriotit me rezultat 31:30.
Përballja e zhvilluar të shtunën mbrëma në Ferizaj dhuroi emocione deri në sekondat e fundit, ndërsa fitoren skuadrës pejane ia siguroi Ardit Tafilaj, vetëm 42 sekonda para përfundimit të takimit.
Kastrioti e nisi më mirë ndeshjen dhe arriti të krijonte epërsi deri në gjashtë gola, duke shkuar në pushim me rezultat 19:16 në favor të tij.
Megjithatë, Besa Famgas nuk u dorëzua dhe në pjesën e dytë nisi rikthimin. Pejanët fillimisht barazuan shifrat në minutën e 42-të, përpara se të krijonin epërsi prej tri golash, 27:24 dhe 28:25.
Vendasit reaguan në momentet vendimtare dhe arritën ta përmbysnin sërish rezultatin, duke kaluar në epërsi 30:29. Por, Yassine Henahen realizoi për 30:30, ndërsa Ardit Tafilaj shënoi golin e fitores për Besën, 42 sekonda para fundit.
Kastrioti pati mundësinë e fundit për ta shpëtuar një pikë, por nuk arriti ta shfrytëzonte aksionin përmbyllës.
Deniz Terziqi ishte më efikasi te Besa Famgas me nëntë gola, i ndjekur nga Henahen me tetë. Jon Vokshi dhe Ardit Tafilaj kontribuuan me nga pesë gola.
Në anën tjetër, te Kastrioti më të dalluarit ishin Eray Karakoc, Vuk Lakiceviq dhe Patrik Grekulowski, që realizuan nga gjashtë gola secili./ Telegrafi /
