TË FUNDIT

Çikago në kuq e zi për 114-vjetorin e Pavarësisë: Mërgata ndez atmosferën festive me emra të njohur dhe valle tradicionale

Shkruan: Skënder Karaçica

Festa e Flamurit dhe Dita e Pavarësisë së Shqipërisë në mërgatën shqiptare në Amerikë tashmë është bërë traditë kombëtare. Festa e Nëntorit, në 114-vjetorin e pavarësisë, i gjen shqiptarët në Shqipërinë zyrtare dhe në Kosovë si kurrë më parë qëkur historia merret me ta.

Me këtë frymë e porosi u mbajt manifestimi kulturo-kombëtar në ambientet e dekoruara kuq e zi “The Empress Banquets”, në organizim të Komunitetit Shqiptaro-Amerikan në Çikago.

Festa e Flamurit i kishte bërë bashkë të gjithë shqiptarët e mërguar në shtetin e Ilinoisit, në qytetin me shije të jetës moderne urbane, Çikago. Të gjithë ishin shënd e verë dhe në këtë atmosferë festive përshëndetnin njëri-tjetrin me fjalët e urimeve: “Gëzuar Festa e Flamurit – e përjetshme Shqipëria jonë!”

Programin festiv e shpalli të hapur i riu nga Kosova, Lum Budrika, i cili në fjalën e tij shpalosi me gëzim festën kombëtare të 28 Nëntorit, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, që në Amerikë tash e një shekull mërgimtarët shqiptarë e festojnë me moton “Festa e Flamurit të Shqipërisë së lirë”.

Me një fjalë rasti të pranishmit i përshëndeti kryetari i Komunitetit Shqiptaro-Amerikan, Edon Shaqiri, një djalë i ri nga treva shqiptare e Preshevës, i shkolluar me dije e diplomë universiteti në Çikago.

Aktin muzikor të pentagramit kombëtar të himneve Amerikë–Shqipëri e interpretoi me vokalin e tij këngëtari Ilsi Ademi, ku në shenjë nderimi e të ngritjes në këmbë, atmosfera festive merrte me vete shpirtin, mallin dhe dashurinë për tokën e diellin e Shqipërisë Etnike.

Në 114-vjetorin e Festës së Flamurit në Çikago, mori udhë porosia historike për Ismail Qemalin – Babain e Shqipërisë, të cilin historia dhe atdhetaria e përzgjodhën për Shqipërinë: “Me vete, të lirë dhe të mosvarme”.

Manifestimin e Festës së Flamurit, në emër të Konsullatës së Republikës së Kosovës, e përshëndeti Vera Rexhepi Leci, e cila për herë të parë si diplomate merrte pjesë në një manifestim me mërgimtarët shqiptarë jashtë atdheut.

Para mërgimtarëve me një fjalë rasti foli poeti Visar Zhiti dhe prof. Skënder Karaçica, veprimtar dhe krijues në afirmimin e vlerave të kulturës, të gjuhës, të historisë dhe të çështjes kombëtare, këndej detit në Amerikën e largët. Në këtë përvjetor të pavarësisë së Shqipërisë, në krah me Kosovën, tha Karaçica, duhet të bëhen përpjekje për kthimin e kombit shqiptar në gjirin e qytetërimeve evropiane.

Festën e Flamurit në Çikago e begatuan me programin e recitimit dhe të valleve shqiptare nxënësit e shkollës shqipe “Kongresi i Manastirit”: Alma, Elza Selimi, Elijana Nallbani, Arbenita, Rinesa, Samije Xhemajli, Tina Kadriu dhe Elsa Prekazi.

Përmes duartrokitjeve programit i dhanë shije artistike valltarët “Shqiponjat e Çikagos”, duke prezantuar ritmin artistik të traditës së valleve të Shqipërisë së Mesme. Lojën e bukur me pentagram kombëtar e interpretuan Ardit Breznica, Anila Buja, Ilirian e Landi Aliu, Georgya Borova dhe Maria Petro.

Në historinë e Shqipërisë, Ismail Qemali do të mbetet si një model i rëndësishëm historik edhe për shtetin e Kosovës dhe shtetndërtimin shqiptar me vlerat e tashme të demokracisë e të shtetit ligjor. Në këtë rrjedhë do të mbetet trashëgim e porosi e motit kënga popullore e popullit shqiptar: “O ti je Ismail Qemali, pas teje vjen historia!” (INA)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *