“Kërcënoi studentet”, Lëvizja Feministe Studentore kërkon arrestimin e profesorit Bekim Bejta
Lëvizja Feministe Studentore ka protestuar nga Fakulteti i Filologjisë deri te Rektorati i UP-së.
Ata kanë kërkuar nga menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës ta shkarkojnë nga pozita zyrtare si profesor i asociuar, Bekim Bejtën.
Madje ata thanë se Bejta duhet të arrestohet e të fillojnë hetimet për kërcënimet ndaj studenteve.
Anita Mjeku, një nga organizatoret, tha se Bejta edhe përkundër akuzave ka vazhduar të ligjërojë.
Gjatë së mërkurës edhe Këshilli Studentor i Fakultetit të Filologjisë përmes një marshi simbolik kërkuan përjashtimin e Bejtës.
Senati i Universitetit të Prishtinës ka vendosur që ta suspendojë përkohësisht profesorin Bekim Bejta nga procesi mësimor dhe të gjitha aktivitetet akademike në UP.
Sipas vendimit të Senatit, Bejta është suspenduar lidhur me shkeljet e vazhdueshme disiplinore të denoncuara nga studentët. Suspendimi i përkohshëm është maksimalisht për 6 muaj, deri në një vendim përfundimtar./EO/