KFOR-i reagon për takimin me ushtrinë serbe: Takim rutinor
KFOR-i sqaron takimin me ushtrinë serbe, thotë se është pjesë e komunikimit të rregullt.
Përfaqësuesit e Komisionit të Përbashkët për Zbatimin e Marrëveshjes (JIC) të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, janë takuar të enjten me homologët e tyre nga Forcat e Armatosura të Serbisë (SAF), në kampin “Film City” në Prishtinë.
Në njoftimin e KFOR-it thuhet se marrëveshjet ekzistuese vazhdojnë të dëshmohen si një kornizë e qëndrueshme për bashkëpunim dhe koordinim ndërmjet palëve.
Takimi ndërmjet përfaqësuesve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë dhe atyre të Forcave të Armatosura të Serbisë, i mbajtur në Prishtinë, nxiti reagime të shumta në Kosovë.
Megjithatë, KFOR-i ka sqaruar se takimet e tilla janë rutinore.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë , KFOR-i ka thënë se bëhej fjalë për një “takim të rregullt ndërmjet përfaqësuesve të Komisionit të Përbashkët për Zbatimin e Marrëveshjes (JIC) të KFOR-it dhe homologëve të tyre nga Forcat e Armatosura të Serbisë (SAF)”.
Sipas KFOR-it, këto takime janë rutinore dhe kanë për qëllim që palët të mbahen të informuara dhe të komunikojnë në kohë dhe në mënyrë efektive.
Ata kanë shtuar se ndër vite, takime të tilla janë mbajtur në lokacione të ndryshme, përfshirë edhe selinë e KFOR-it në Prishtinë.
Duke theksuar se mban komunikim të rregullt me të gjithë homologët e tij, përfshirë institucionet e Kosovës, organizatat e sigurisë në Kosovë, Forcat e Armatosura të Serbisë dhe organizatat ndërkombëtare, KFOR-i ka thënë se ky komunikim është thelbësor për parandalimin e keqkuptimeve, uljen e rrezikut të tensioneve dhe trajtimin e shqetësimeve të mundshme të sigurisë.
“Këto marrëveshje prej vitesh shërbejnë si kornizë për mbajtjen e kontakteve, komunikimin, bashkëpunimin dhe bashkërendimin ndërmjet KFOR-it dhe Forcave të Armatosura të Serbisë, veçanërisht për çështjet që lidhen me Vijën Kufitare Administrative (ABL) dhe me sigurimin e një mjedisi të qetë e të sigurt për të gjitha komunitetet lokale”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.
