POLITIKATË FUNDIT

Shqipëria merr 185.6 milionë euro nga BE: Në muajt e ardhshëm edhe 15% shtesë e paketës

Shqipëria pritet të përfitojë këstin e katërt prej 185.6 milionë eurosh nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, ndërsa në muajt në vijim mund të sigurojë edhe 15 për qind shtesë të paketës së përgjithshme.

Lajmin e bëri të ditur Ministri i Punëve të Brendshme, Ferit Hoxha, gjatë takimit të liderëve rajonalë të zhvilluar në Tiranë, nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama, ku e pranishme ishte edhe komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos.

Takimi i tretë i liderëve në Tiranë

Kryeqyteti mirëpriti takimin e tretë të liderëve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Planit të Rritjes, një nismë e Bashkimit Evropian që synon përshpejtimin e reformave, integrimin ekonomik dhe afrimin gradual të vendeve të rajonit me tregun e përbashkët evropian.

Kryeministri Edi Rama, i cili priti dhe drejtoi takimin, deklaroi se Shqipëria po shënon progres në zbatimin e Agjendës së Reformave dhe se rezultatet e arritura priten të përkthehen në mbështetje të mëtejshme financiare nga BE.

Mekanizmi i rishpërndarjes së fondeve

Sipas kreut të qeverisë, në javët e ardhshme Shqipëria pritet të marrë këstin e katërt prej 185.6 milionë eurosh, ndërsa në muajt në vijim vendi mund të përfitojë edhe 15 për qind shtesë të paketës së përgjithshme.

Ky përfitim vjen përmes një mekanizmi që parashikon rishpërndarjen e fondeve të padisbursuara nga vendet që nuk kanë përmbushur objektivat e tyre. Një mundësi që Shqipëria synon ta shfrytëzojë duke u mbështetur në ecurinë e saj reformuese.

Plani i Rritjes mbetet instrumenti kryesor financiar i BE-së për rajonin, me pagesa të lidhura direkt me përmbushjen e reformave të angazhuara nga vendet përfituese. /KosovaNews/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *