Mexhiti te “Zef Lush Marku”: Shkollat shqipe, mburojë e gjuhës dhe identitetit kombëtar
Mexhiti merr pjesë në festimet e Nëntorit në gjimnazin “Zef Lush Marku”: Shkollat shqipe janë hapësira ku kultivohet kultura dhe identiteti kombëtar
Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka marrë pjesë në aktivitetet festive të organizuara në kuadër të muajit të Nëntorit në gjimnazin “Zef Lush Marku” në Butel. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Mexhiti ka vlerësuar faktin se muaji i shqipes dhe i shqiptarëve shënohet në shkollat shqipe, duke e cilësuar këtë si dëshmi të përkushtimit të vazhdueshëm për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar.
“Jam i lumtur që muaji i shqipes dhe i shqiptarëve festohet në të gjitha shkollat tona, sepse kjo dëshmon se ka përkushtim të vazhdueshëm për ta ruajtur gjuhën, kulturën dhe identitetin tonë kombëtar”, ka shkruar Mexhiti.
Ai ka shtuar se shkollat shqipe, përveçse institucione arsimore, shërbejnë edhe si hapësira ku formohen brezat, kultivohet kultura dhe përcillet historia së bashku me ndjenjën e përkatësisë kombëtare. Në fund, kryetari i Çairit u ka përcjellë urime nxënësve, drejtorisë dhe stafit të gjimnazit “Zef Lush Marku” për programin festiv dhe angazhimin e vazhdueshëm në arsimin shqip. (INA)
