Kjo eshte Asija gruaja qe biznesmeni e zuri me dy burra ne shtepi
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Denizli, në jugperëndim të Turqisë, ku një biznesmen 49-vjeçar është gjetur i pajetë në banesën e tij, me duart e lidhura me litar dhe shenja të dukshme dhune në trup.
Viktima është identifikuar si Fedai Karagoz, pronar i një kompanie mermeri dhe sipërmarrës në sektorin e ndërtimit. Sipas raportimeve të medias turke Milliyet, ai ishte kthyer më herët nga një udhëtim pune, kur dyshohet se ka gjetur bashkëshorten e tij, Asiye Karagoz, në banesë së bashku me dy burra të tjerë.
Përballja mes tyre ka përfunduar në një konflikt të dhunshëm, gjatë të cilit 49-vjeçari dyshohet se është rrahur brutalisht dhe më pas është mbytur nga dy personat e tjerë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:00 të mëngjesit, në lagjen Alparslan, në zonën Merkezefendi të Denizlit.
Fqinjët njoftuan policinë pas zhurmave në banesë
Sipas mediave turke, fqinjët kanë dëgjuar zhurma të forta dhe të bërtitura që vinin nga banesa e biznesmenit, ndaj kanë njoftuar policinë.
Kur efektivët kanë mbërritur në vendngjarje dhe nuk kanë marrë përgjigje pasi kanë trokitur në derë, kanë kërkuar ndihmën e një çelësabërësi për të hyrë në banesë.
Brenda kanë gjetur Fedai Karagoz të shtrirë në dysheme, pa shenja jete, me duart e lidhura me litar dhe shenja të dukshme dhune. Ekipet mjekësore kanë konstatuar vdekjen e tij.
Tre të arrestuar, familjarët tentojnë të sulmojnë një prej të dyshuarve
Në kuadër të hetimeve, policia ka arrestuar bashkëshorten e viktimës dhe dy burrat që dyshohet se ndodheshin në banesë në momentin e ngjarjes.
Sipas raportimeve, situata është tensionuar kur familjarët e biznesmenit kanë parë njërin prej të arrestuarve dhe kanë tentuar ta sulmojnë fizikisht. Ndërhyrja e policisë ka parandaluar përshkallëzimin e situatës.
Ndërkohë, autoritetet kanë sekuestruar dhe po shqyrtojnë pamjet e kamerave të sigurisë të kompleksit të banimit, me qëllim përcaktimin e orareve të mbërritjes dhe largimit të personave të dyshuar nga banesa.
Trupi i pajetë i 49-vjeçarit është dërguar në morgun e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Denizli, ku do t’i nënshtrohet ekspertizës mjekoligjore për përcaktimin e saktë të shkakut të vdekjes.
Hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes, motivin e vrasjes dhe shkallën e përfshirjes së secilit prej tre personave të arrestuar.
