Qeni që buzëqesh, e përshëndet të zotin duke teshtirë dhe ka një veçori të pazakontë deri në moshën trevjeçare
Një racë e rrallë gjermane, me temperament të ndjeshëm, inteligjencë të zhvilluar dhe zakone që e dallojnë nga qentë e tjerë
Shumica e qenve e shprehin gëzimin kur takojnë të zotin duke tundur bishtin, duke kërcyer apo duke lehur. Mirëpo, Kromfohrländer ka një mënyrë të pazakontë përshëndetjeje: shprehjen e fytyrës që ngjan me buzëqeshjen, ndërsa disa qen të kësaj race, nga entuziazmi, fillojnë edhe të teshtijnë.
Kjo racë u krijua kryesisht për shoqërimin e njeriut. Megjithëse ndër paraardhësit e saj ka terrierë, instinktin e gjuetisë e ka shumë pak të zhvilluar.
Origjina e racës lidhet me Luftën e Dytë Botërore dhe një qen të kryqëzuar të tipit terrier, të njohur si Original Peter. Ushtarët amerikanë e gjetën në veri të Francës, e bënë maskotë të tyre dhe më vonë ai përfundoi në Gjermani, ku luajti një rol të rëndësishëm në krijimin e racës.
Edhe sot, Kromfohrländer mbetet një racë shumë e rrallë, veçanërisht jashtë Evropës.
Kromfohrländer është qen me përmasa mesatare, me lartësi prej 38 deri në 46 centimetra dhe peshë nga nëntë deri në 16 kilogramë.
Gëzofi është kryesisht i bardhë, me njolla ngjyrë kafe. Raca paraqitet në dy variante: me qime të ashpra dhe mjekër karakteristike, që i ngjan terrierit, dhe me qime të lëmuara, të buta e të mëndafshta.
Të dyja variantet kërkojnë kujdes të rregullt. Te qentë me qime të ashpra rekomandohet largimi manual i qimeve të vdekura, ndërsa qethja me makinë apo rruajtja nuk këshillohet.
Këta qen janë shumë të pastër dhe gëzofi i tyre pothuajse nuk ka aromën karakteristike të qenit. Me shkurtimin e thonjve duhet të mësohen që në moshë të vogël.
Temperamenti dhe buzëqeshja karakteristike
Një nga tiparet më interesante të kësaj race është buzëqeshja karakteristike, e njohur si “Kromi Grin”. Edhe teshtitja mund të jetë mënyrë e shprehjes së entuziazmit.
Kromfohrländer është inteligjent, i ndjeshëm dhe lozonjar. Shpesh krijon lidhje veçanërisht të fortë me një anëtar të familjes, megjithëse është i përkushtuar ndaj të gjithë familjarëve dhe shoqërohet mirë me fëmijët.
Ndaj të panjohurve zakonisht është i rezervuar. Nuk ndihet gjithmonë rehat në parqe me shumë qen të panjohur, ndaj preferon shoqërinë e qenve që njeh dhe shëtitjet me të zotin.
Aktiviteti fizik dhe ushqyerja
Ky qen është energjik, i shkathët dhe adhuron lojërat me top, kërcimet dhe shëtitjet e gjata në natyrë.
Falë inteligjencës dhe shkathtësisë, mund të marrë pjesë me sukses në sportin “agility”, që përfshin kalimin e pengesave të ndryshme. Megjithatë, gjatë stërvitjes kërkon durim dhe qasje graduale.
Me kërcimet e larta për kapjen e diskut fluturues këshillohet të pritet deri rreth moshës trevjeçare, për të mbrojtur nyjat.
Sa i përket ushqyerjes, Kromfohrländer mund të jetë mjaft përzgjedhës. Ushqimi duhet t’i përshtatet moshës, peshës, aktivitetit fizik dhe gjendjes shëndetësore.
Shëndeti dhe jetëgjatësia
Kjo racë ka diversitet relativisht të kufizuar gjenetik, prandaj shumimi i përgjegjshëm dhe testimet shëndetësore kanë rëndësi të veçantë.
Ndër sëmundjet trashëguese që mund ta prekin janë hiperkeratoza e jastëkëve të putrave, që shkakton trashje të tepërt të lëkurës, dhe sëmundja von Willebrand, një çrregullim i koagulimit të gjakut.
Për të dyja sëmundjet ekzistojnë teste të ADN-së. Gjithashtu, janë evidentuar probleme shëndetësore autoimune.
Sipas American Kennel Club , jetëgjatësia e kësaj race është 13 deri në 15 vjet, megjithëse disa qen mund të jetojnë edhe 17 apo 18 vjet.
Kromfohrländer është një shoqërues i veçantë për njerëzit që dëshirojnë një qen aktiv, besnik dhe të dashur, të cilit mund t’i kushtojnë kohë, vëmendje dhe përkujdesje. /Telegrafi/
