ASH: Arsimi në gjuhën shqipe është një e drejtë që nuk negociohet
Deklarata e kryeministrit Hristijan Mickoski se Kushtetuta mundëson arsim në gjuhën shqipe vetëm në nivelin fillor dhe të mesëm, por jo edhe në atë universitar, përbën një përpjekje të papranueshme për të vënë në pikëpyetje një nga arritjet më të rëndësishme të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët.
"Kur deputeti i ASH-së, Halil Snopçe, i kërkoi kryeministrit të tregojë se cili nen i Kushtetutës e ndalon arsimin e lartë në gjuhën shqipe, ai nuk dha përgjigje.
Dhe kjo pyetje mbetet e hapur. Cili nen i Kushtetutës e ndalon arsimin e lartë në gjuhën shqipe?
Fakti që Kushtetuta përcakton shprehimisht të drejtën e arsimimit në gjuhën amtare në arsimin fillor dhe të mesëm, nuk nënkupton ndalimin e saj në arsimin e lartë. Për më tepër, pika 6.2 e Marrëveshjes së Ohrit parasheh shprehimisht financimin shtetëror të arsimit universitar në gjuhët që fliten nga të paktën 20 për qind e popullsisë.
Universitetet në gjuhën shqipe nuk janë rezultat i bujarisë së ndonjë qeverie. Ato janë rezultat i një rruge të gjatë përpjekjesh, sakrificash dhe gjaku të derdhur.
Për më shumë se dy dekada, këto universitete kanë nxjerrë mijëra kuadro që kontribuojnë në zhvillimin e këtij shteti.
Po i njëjti kryeministër, që vetëm pak javë më parë deklaronte se e drejta e arsimit të lartë në gjuhën amtare është e padiskutueshme, sot vë në pikëpyetje bazën kushtetuese të kësaj të drejte. Ndërkohë, studentëve shqiptarë vazhdon t'u mohohet mundësia e dhënies së plotë të provimit të jurisprudencës në gjuhën në të cilën kanë përfunduar studimet.
Çfarë ka ndryshuar ndërkohë? Kushtetuta, ligjet apo qëndrimi politik i kryeministrit?
Aleanca për Shqiptarët kërkon sqarim publik nga kryeministri, zbatimin e plotë të Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe mundësimin e dhënies së provimit të jurisprudencës, si dhe të provimeve të tjera profesionale, në gjuhën shqipe.
Kjo çështje duhet të qëndrojë mbi interesat partiake dhe kalkulimet për pushtet. Mbrojtja e arsimit në gjuhën shqipe është përgjegjësi e përbashkët e të gjithë përfaqësuesve politikë shqiptarë.
Shqiptarët nuk kërkojnë privilegje, por respektimin e të drejtave të tyre", thonë nga ASH. /Telegrafi/
