BDI i përgjigjet Mickoskit: Kushtetuta nuk e ndalon arsimin e lartë në gjuhën shqipe
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili arsimin e lartë në gjuhën shqipe e quajti “implant”. Sipas BDI-së, kjo deklaratë dëshmon edhe një herë qasjen përjashtuese të kryeministrit.
“Që nga ardhja në pushtet, Mickoski çdo ditë na flet për një kushtetutë inekzistente dhe për ligje që nuk ekzistojnë”, thuhet në reagimin e partisë.
BDI thekson se Kushtetuta në fuqi nuk ka asnjë dispozitë që e ndalon arsimin e lartë në gjuhën shqipe dhe se kjo e drejtë garantohet me legjislacionin në fuqi.
Sipas partisë, është paradoksale që Mickoski, i cili, siç thonë ata, me veprimet e tij cenon rendin kushtetues dhe juridik, tani përpiqet ta interpretojë Kushtetutën sipas agjendës së tij politike. “Burimi i tensioneve nuk është arsimi në gjuhën shqipe, por politika që vë në pikëpyetje të drejtat e garantuara me Kushtetutë dhe ligj”, thekson BDI.
Në reagim përmenden edhe disa veprime të tjera të Qeverisë dhe të VMRO-DPMNE-së:
premtimin në programin partiak dhe qeveritar për shfuqizimin e Balancuesit, i cili më pas u shfuqizua përmes Gjykatës Kushtetuese, gjë që sipas BDI-së cenon përfaqësimin e drejtë dhe adekuat; shfuqizimin e emërtimeve të rrugëve dhe shesheve në Tetovë; faktin që VMRO-DPMNE është ndër parashtrueset e iniciativave për shfuqizimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve; përjashtimin e diasporës nga përllogaritja, që sipas BDI-së uli në mënyrë jokushtetuese dhe joligjore numrin e këshilltarëve në komunat me shumicë shqiptare. “Me këtë qasje, Maqedonia e Veriut po largohet nga parimet e bashkëjetesës, barazisë dhe marrëveshjes mbi të cilat është ndërtuar rendi i saj kushtetues”, vlerëson BDI.
Partia i bën thirrje Mickoskit të heqë dorë nga retorika përjashtuese dhe të respektojë Kushtetutën dhe ligjet. BDI thotë se do të vazhdojë të përballet me çdo përpjekje për cenimin e të drejtave të garantuara.
