TË FUNDIT

Maqedonci: Rekrutuam mbi 3 mijë ushtarakë të rinj dhe trajnuam mijëra të tjerë në akademitë e vendeve aleate

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka thënë se “Dita e Forcës” është ditë krenarie për shtetin për ushtrinë dhe për secilin me uniformën e shenjtë që i shërben atdheut me nder, përkushtim dhe profesionalizëm.

Maqedonci përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se sot kanë shënuar jo vetëm përvjetorin e ushtrisë, por edhe një kapitull të rëndësishëm të transformimit të saj.

“Periudha 2021–2026 shënon vite të zhvillimit të hovshëm, investimeve historike, modernizimit dhe ngritjes së kapaciteteve të mbrojtjes së Republikës së Kosovës. Përmes punës, sakrificës dhe përkushtimit tuaj, kemi bërë hapa të mëdhenj drejt ndërtimit të një ushtrie moderne, profesionale dhe të ndërveprueshme me NATO-n”, ka shkruar Maqedonci.

Tutje ai ka thënë se: “Gjatë këtyre viteve, kemi trefishuar buxhetin e mbrojtjes, kemi investuar rreth 500 milionë euro në armatim, rekrutuar 3,220 ushtarakë të rinj dhe trajnuar mijëra ushtarakë në akademitë e vendeve aleate. Sot, ushtria jonë disponon mbi 40 lloje sistemesh armatimi, përfshirë sistemet raketore kundërtanke Javelin dhe OMTAS, artilerinë HAËKEYE, dronët Bayraktar dhe PUMA, si dhe mijëra dronë Skydagger. Kemi fuqizuar edhe kapacitetet logjistike me 35 kamionë ushtarakë Rheinmetall dhe UNIMOG – Mercedes-Benz, ndërsa dhjetëra të tjerë do t’i pranojmë gjatë vitit 2027”.

Po ashtu Maqedonci ka hedhur themelet e industrisë së mbrojtjes në Kosovë, me fabrikën e parë të municioneve dhe zhvillimin e mjeteve ushtarake ajrore e tokësore pa pilot.

View this post on Instagram A post shared by Telegrafi.com (@telegrafi)

"Kemi thelluar partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët tanë të NATO-s, duke dëshmuar se Kosova është një partner i besueshëm dhe i përkushtuar ndaj vlerave të përbashkëta të sigurisë. Sot, vendi ynë nuk është vetëm përfitues i sigurisë, por po përgatitet të jetë edhe kontribuues i paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, përmes angazhimit të ushtrisë sonë në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza", ka thënë ai.

Të gjitha këto arritje të periudhës 2021–2026 siç tha Maqedonci janë dëshmi se kur kemi vizion, vendosmëri dhe përkushtim, mund të realizojmë objektiva që dikur dukeshin të paarritshme.

"Ky transformim është themeli mbi të cilin do të ndërtojmë të ardhmen e ushtrisë sonë. Do të vazhdojmë investimet në armatim, teknologji, infrastrukturë dhe, mbi të gjitha, në ushtarakët tanë, sepse fuqia e një ushtrie nuk matet vetëm me pajisjet që posedon, por me profesionalizmin, guximin dhe besnikërinë e atyre që e përbëjnë. Ndërtimi dhe fuqizimi i ushtrisë së Republikës së Kosovës është obligim ndaj shtetit, përgjegjësi ndaj brezave që vijnë dhe nderim i përhershëm për ata që sakrifikuan jetën për lirinë tonë. Liria që gëzojmë sot është amanet, ndërsa mbrojtja e saj është detyrë që na bashkon të gjithëve. Urime Dita e Forcës të gjithë pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës", ka shkruar ndër të tjera Maqedonci në Facebook. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *