82 kalime, dy tragjedi dhe një betejë kundër ekstradimit
Autoritetet evropiane dyshojnë se një tregtar gjerman varkash është një nga kontrabandistët e emigrantëve që veprojnë në Kanalin e La Manshit, sipas raportimit të BBC.
Sipas dokumenteve që BBC ka parë, pothuajse një e treta e kalimeve me varka të vogla në katër muajt e parë të këtij viti kanë përfshirë varka ose motorë nga “MaReBoote”, një firmë e vogël në Gjermaninë perëndimore.
Drejtuesi i firmës, Marvin Reuter, po kundërshton ekstradimin e tij në Francë, ku mund të përballet me akuza për kontrabandë, konspiracion kriminal dhe vrasje pa dashje. Pajisjet e tij dyshohet se janë të lidhura me dy aksidente fatale, në të cilat humbën jetën katër burra.
BBC e kontaktuar në biznesin e tij pranë Dortmundit, por ai nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve, duke kërkuar që gazetarët të largoheshin dhe duke thënë se do t’i denonconte në polici. Ai u shpreh më vonë, përmes përgjigjes me shkrim, se akuzon median për ngacmim.
Reuter nuk mund të akuzohet zyrtarisht derisa të ekstradohet në Francë, por nëse gjykohet dhe shpallet fajtor, ai mund të përballet me burgim. Ai konsiderohet i pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tij.
Transmetuesit gjermanë WDR dhe NDR, gazetën “Süddeutsche Zeitung” dhe gazetën franceze “Le Monde”, ka siguruar dhe shqyrtuar qindra dokumente policore, gjyqësore dhe tatimore lidhur me këtë çështje.
Sipas informacioneve të gazetarëve, hetuesit besojnë se kanë zbuluar lidhje të qarta dhe të vazhdueshme midis Reuter-it dhe rrjeteve të kontrabandës. Provat janë mbledhur përmes dëshmive të bashkëpunëtorëve të dyshuar, regjistrimeve të fshehta në qelinë e burgut të një personi që dyshohet si kreu i bandës, si dhe përmes dy përpjekjeve për kalim që përfunduan me vdekje.
Sipas hetimeve franceze, të paktën 82 varka nga firma e Reuter-it kanë mbërritur në bregdetin anglez në një periudhë pak më të gjatë se dy vjet, deri në muajin maj. Ekzistojnë gjithashtu fotografi të mediave, të shkrepura pesë vite më parë, ku shfaqet logoja e “MaReBoote” në varka gome të mbushura me emigrantë.
Dosjet tregojnë se policia gjermane ishte informuar nga autoritetet britanike se 29 për qind e kalimeve të zbuluara këtë vit, deri në fund të prillit, përfshinin varka dhe/ose motorë të lidhur me “MaReBoote”.
Në vitin 2021, Reuter u deklaroi gazetave “The Sun” dhe “The Guardian” se ndihej “i frustruar” dhe “i shqetësuar” që mjetet e tij kishin përfunduar në duart e kontrabandistëve. Në atë kohë nuk kishte asnjë tregues se autoritetet e dyshonin atë për ndonjë shkelje; një hetues gjerman, siç citohet nga “The Sun”, u shpreh: “Kjo është njëlloj sikur dikush të blejë një Mercedes dhe më pas, në një vend tjetër, të kryejë një veprim të paligjshëm. Shitësi i Mercedesit nuk ka si ta parandalojë këtë.”
Nuk është plotësisht e qartë se kur lindën dyshimet e policisë. Prokurori francez Samuel Finielz nuk pranoi të komentonte detajet e hetimit, por konfirmoi se kreu i një kompanie gjermane është aktualisht subjekt i një Urdhër-Arresti Evropian, i lëshuar në maj të këtij viti dhe i lidhur me vepra të supozuara që nga dhjetori i vitit 2024.
Ndonëse shitja e varkave është “plotësisht e ligjshme”, ajo bëhet e paligjshme – theksoi Finielz, “kur shitësi është plotësisht i vetëdijshëm se ato do të përdoren nga rrjete të përfshira në emigracion të paligjshëm ose trafikim qeniesh njerëzore”.
Në Francë, pesë burra të tjerë janë akuzuar tashmë në kuadër të hetimit, një iranian, tre irakianë dhe një sirian.
Në një nga dy incidentet fatale, ku dyshohet se është përdorur pajisje e Reuter-it, një prej viktimave ishte gjithashtu sirian. Sipas datës së lindjes të shënuar në dosje, Suliman al Husein sapo kishte mbushur 20 vjeç kur humbi jetën.
Raportet e lajmeve të asaj kohe tregojnë se ai pësoi arrest kardiak, pasi me gjasë u shtyp në një gomone të mbipopulluar gjatë një tentative të dështuar për t’u nisur, në perëndim të Calais-së, në janar të vitit 2025. Ai ishte emigranti i parë që humbi jetën në Kanalin e La Manshit atë vit. Trupi i tij u gjet në fund të varkës, e cila, sipas hetuesve, mbante logon “MaReBoote”.
Çështja kundër Reuter-it lindi gjithashtu nga një arrestim rastësor, kur policia franceze ndaloi një automjet me targa gjermane pranë qytetit port verior të Boulogne-sur-Mer.
Sipas të dhënave policore, automjeti BMW, i cili tërhiqte një rimorkio, u pikas duke parakaluar një mjet tjetër me shpejtësi të lartë në orët e hershme të një mëngjesi në maj të këtij viti. Brenda makinës ndodheshin dy shtetas gjermanë, të cilët po transportonin bidonë me karburant, një motor varke, pompa dhe një gomone të palosur.
Sipas procesverbaleve të marrjes në pyetje, burrat deklaruan se ishin paguar deri në 1,000 euro për çdo rast për të kryer disa dërgesa të ngjashme për “të huaj” në bregdet.
“Sigurisht që e dija se nuk ishte e ligjshme”, mësohet të ketë pranuar njëri prej tyre. “Paratë më bënë t’i mbyllja sytë.”
Të dy burrat, të cilët më pas janë dënuar për vepra penale që lidhen me kontrabandën, kanë përmendur Marvin Reuter-in si personin që i kishte punësuar dhe paguar për këtë punë. Dosjet policore tregojnë se si automjeti BMW, ashtu edhe varka që ai po transportonte, mbanin logot e “MaReBoote”.
Gjurmuesi i migracionit në Mbretërinë e Bashkuar nga BBC – shifrat më të fundit mbi migracionin vizat, azilin dhe varkat e vogla.
Marvin Reuter u arrestua në Gjermani në muajin maj dhe më vonë u lirua, në pritje të ekstradimit. Ditën e arrestimit të tij, policia gjermane sekuestroi gjithashtu më shumë se 30 varka të vogla gome dhe 9,000 jelekë shpëtimi, pajisje që dyshohet se lidheshin me Reuter-in.
Prova të mëtejshme janë siguruar përmes përgjimit të një qelie burgu ku mbahet në paraburgim në Francë një person i dyshuar si kreu i një bande. Sipas dosjeve, regjistrimet kapën të burgosurin duke folur për blerjen e pajisjeve detare nga një firmë gjermane, e drejtuar nga një burrë që mban të njëjtin emër si Reuter-i. Në telefonin e të dyshuarit është gjetur gjithashtu adresa e kompanisë “MaReBoote”.
Avokatët e Reuter-it e kanë kundërshtuar ekstradimin e tij, duke përmendur si një nga arsyet mbipopullimin në burgjet franceze. Ata argumentojnë se klienti i tyre duhet t’u përgjigjet akuzave në Gjermani.
Kalimet me varka të vogla kanë rënë ndjeshëm në vitin 2026, ndërsa autoritetet britanike e konsiderojnë zbatimin e ligjit si një “faktor kyç” . Megjithatë, edhe migrimi i paligjshëm drejt Evropës ka shënuar rënie.
Dan Cannatella-Barcroft, zëvendësdrejtor për krimin e organizuar të imigracionit në Agjencinë Kombëtare të Krimit (NCA) të Mbretërisë së Bashkuar, vlerësoi “angazhimin” e Gjermanisë për të luftuar kontrabandimin e njerëzve, por theksoi se vendi do të mbetet “një pjesë e rëndësishme e mozaikut”.
Edhe pse një boshllëk ligjor është mbyllur, afërsia e Gjermanisë me Francën, lidhjet e gjera të transportit dhe fakti që disa nga bandat e dominuara nga kurdët e kanë bazën aty, bëjnë që ajo të vazhdojë të shërbejë si pikë tranziti në trafikun e paligjshëm me varka të vogla.
“Pjesa dërrmuese” e pajisjeve për varkat e vogla gjatë viteve të fundit kanë ardhur përmes Gjermanisë, tha Cannatella-Barcroft për BBC-në; shumica e tyre janë prodhuar në Kinë dhe kanë kaluar tranzit përmes Turqisë, raporton BBC.
