TË FUNDIT

Udhëtimi i përditshëm me veturë në punë mund të dëmtojë zemrën

Kalimi i shumë orëve në veturë gjatë rrugës për në punë dhe kthimit në shtëpi mund të ketë pasoja për shëndetin e zemrës. Sipas një studimi të ri nga Universiteti i Houstonit, stresi dhe përqendrimi i vazhdueshëm gjatë drejtimit të automjetit e mbajnë zemrën në një gjendje më të ngarkuar, edhe pse trupi qëndron ulur, ka shkruar The Independent.

Studiuesit zbuluan se ankthi gjatë drejtimit të veturës mund të shkaktojë rritje të rrahjeve të zemrës, madje edhe një rrahje shtesë në minutë te personat që kalojnë deri në tetë orë në ditë pas timonit.

“Drejtimi i veturës kërkon vëmendje të vazhdueshme, marrje vendimesh dhe gatishmëri për të reaguar. Trupi mund të jetë ulur, por mendja është vazhdimisht në punë dhe zemra e pasqyron këtë ngarkesë”, ka shpjeguar Ioannis Pavlidis, një nga autorët kryesorë të studimit.

Pse mund të jetë problematike rritja e rrahjeve të zemrës?

Rrahjet shtesë të zemrës, të cilat ndonjëherë ndihen si dridhje ose rrahje të forta në kraharor, zakonisht nuk përbëjnë problem te personat me zemër të shëndetshme. Ato mund të shfaqen edhe gjatë periudhave të stresit.

Megjithatë, kur ndodhin shpesh, kërkojnë vlerësim mjekësor. Në disa raste, një ritëm i vazhdueshëm tepër i lartë i zemrës mund të kontribuojë në zhvillimin e kardiomiopatisë, një gjendje që dobëson muskulin e zemrës.

Kjo sëmundje mund të çojë në komplikime serioze, përfshirë mpiksjen e gjakut dhe, në raste të rënda, arrestin kardiak.

Ekspertët bëjnë dallimin mes rritjes së rrahjeve të zemrës gjatë aktivitetit fizik dhe asaj që ndodh gjatë drejtimit të makinës. Gjatë ushtrimeve fizike, zemra punon më shumë për të furnizuar muskujt me gjak dhe oksigjen, duke sjellë përfitime për shëndetin.

Ndërsa gjatë qëndrimit të gjatë pas timonit, zemra mund të përjetojë ngarkesë të shtuar pa përfitimet që sjell aktiviteti fizik.

“Kur zemra punon më shumë ndërkohë që ne jemi ulur pas timonit, nuk përfitojmë asgjë nga efektet pozitive të ushtrimeve fizike. Kur kjo ndodh për periudha të gjata, çdo ditë, duhet të mendojmë për pasojat e mundshme në shëndetin afatgjatë”, paralajmëron Pavlidis.

Studimi analizoi rreth 180 mijë matje

Për të kuptuar ndikimin e drejtimit të veturës, studiuesit përdorën orë inteligjente dhe smartphone (telefona të mençur) për të monitoruar rrahjet e zemrës së 57 të rriturve në qytete të mëdha të Teksasit, përfshirë Houstonin, Dallasin dhe San Antonion./Koha.net

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *