POLITIKATË FUNDIT

Rama: Mickoski nuk më ka dhënë ndjesinë se ka rezerva ndaj gjuhës shqipe

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se në komunikimin me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, nuk ka vërejtur qëndrime rezervuese ndaj gjuhës shqipe apo ndonjë qasje që favorizon gjuhën maqedonase në raport me shqipen.

Në një intervistë për emisionin „Kohacast“ të gazetës Koha, Rama theksoi se, pavarësisht kësaj, çështja e gjuhës shqipe kërkon vigjilencë dhe vëmendje, duke nënvizuar se nuk mund të tolerohet në heshtje ndonjë prapakthim në këtë drejtim.

„Hiri i së vërtetës e do që unë të them që kryeministri Mickoski nuk më ka lënë në asnjë moment ndjesinë e dikujt që ka një rezervë në raport me gjuhën shqipe apo që ka një qasje superioriteti të gjuhës maqedonase ndaj shqipes“, deklaroi Rama.

Ai tha se është i informuar edhe për përpjekjet e përfaqësuesve shqiptarë për ta çuar më tej agjendën e gjuhës shqipe, përfshirë çështjen e licencave, si dhe diskutimet që lidhen me përdorimin e shqipes në gjyqësor.

Sipas Ramës, për momentin nuk ekziston një fakt konkret që do të kërkonte një reagim të përbashkët dhe të menjëhershëm, megjithëse ekzistojnë diskutime për vështirësi në zbatimin e të drejtave gjuhësore.

Kryeministri shqiptar vlerësoi gjithashtu rolin e partive politike shqiptare, si atyre në pushtet, ashtu edhe atyre në opozitë, në ruajtjen e ekuilibrit dhe avancimin e çështjes së gjuhës shqipe.

„Kush është në opozitë është jo vetëm në të drejtën, por edhe në detyrën e vet që të vërë alarmin kur sheh një rrezik. Kush është në qeveri është në detyrën e vet që të garantojë se rreziku nuk do të materializohet“, u shpreh Rama.

Në përfundim, ai tha se situata aktuale është pozitive, duke pasur parasysh përfaqësimin dhe përparimin e arritur deri më tani, por theksoi se sfida mbetet avancimi i mëtejshëm i këtyre të drejtave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *