TË FUNDIT

Avioni drejt Gjermanisë, aty ku shqiptarët dhe maqedonasit janë të barabartë

Gjermania prej vitesh është shndërruar në një shtëpi të dytë për mijëra qytetarë të Maqedonisë së Veriut. Atje shkojnë shqiptarë dhe maqedonas, të rinj e të moshuar, familje të tëra, por edhe njerëz që ende nuk e kanë vendosur nëse një ditë do të kthehen në vendlindje.

Pavarësisht përkatësisë etnike, shumë prej tyre i kanë të njëjtat arsye për t’u larguar: kërkojnë një jetë më të mirë, paga më të mira, siguri ekonomike dhe një të ardhme më të parashikueshme për fëmijët e tyre.

Të dhënat për shtetasit e Maqedonisë së Veriut që jetojnë në Gjermani flasin për një komunitet shumë të madh, me shifra që raportohen rreth 200 mijë persona, pa përfshirë mijëra të tjerë që ndërkohë kanë fituar shtetësinë gjermane.

Një udhëtim me avion në linjën Shkup–Memingen, në një ditë të zakonshme të javës, ishte pothuajse i plotë. E njëjta situatë edhe në fluturimin e kthimit drejt Shkupit një ditë më pas. Një pamje që nuk është e pazakontë, por që të bën të mendosh se sa shumë është shtuar lëvizja mes vendit tonë dhe Gjermanisë.

Nuk do të kisha marrë mundimin të shkruaja për një temë kaq të trajtuar në media, nëse nuk do të kisha dëgjuar një bisedë në ulësen pranë meje.

Një nënë e re shqiptare, e shoqëruar nga djali i saj jo më shumë se katër-pesë vjeç, po bisedonte me një stjuardesë maqedonase . Të dyja njiheshin prej kohësh, pasi kishin studiuar në të njëjtin universitet. Njëra ishte ende e pamartuar dhe pa fëmijë, ndërsa tjetra kishte krijuar familje dhe kishte udhëtuar në Gjermani për të vizituar bashkëshortin.

Gjatë bisedës, maqedonasja e pyeti bashkëbiseduesen shqiptare për planet e saj të së ardhmes.

“Çfarë do të bësh më tutje?”

“Prej disa vitesh kam pritur mundësinë për të punuar por asnjë mundësi në Maqedoni . Tani procedura është drejt përfundimit dhe së shpejti do të bashkohem me bashkëshortin në Gjermani”, ishte përgjigjja e saj.

Ndërkohë, stjuardesa maqedonase tregonte se për momentin do të vazhdonte të punonte në këtë profesion, pa e ditur me siguri se ku do ta ndërtonte jetën në vitet e ardhshme.

Ishte një bisedë e zakonshme, por për mua kishte diçka domethënëse. Dy vajza që dikur kishin ndarë të njëjtin auditor universitar, sot ndodheshin në dy realitete të ndryshme. Njëra po përgatitej t’i bashkohej bashkëshortit në Gjermani, ndërsa tjetra vazhdonte të punonte, pa pasur një përgjigje të qartë për të ardhmen e saj.

Dhe aty, në atë avion, më erdhi ndërmend se sa shumë gjëra i kemi të përbashkëta, pavarësisht se sa shpesh përpiqemi t’i theksojmë dallimet mes nesh.

Dy komunitete, dy realitete dhe një problem që nuk njeh përkatësi etnike

Prej vitesh, në diskursin publik maqedonas dhe shqiptar qarkullojnë dy narrativa që shpesh janë më shumë politike sesa reale.

Një pjesë e opinionit maqedonas ngushëllohet me tezën se shqiptarët po largohen në masë dhe se kjo, në njëfarë mënyre, e zvogëlon shqetësimin për ndryshimet demografike në vend. Nga ana tjetër, një pjesë e opinionit shqiptar e sheh natalitetin e ulët të maqedonasve si një zhvillim që mund të favorizojë shqiptarët në raportet demografike.

Të dyja këto qasje më duken të gabuara.

Nuk mund të quhet fitore për maqedonasit largimi i shqiptarëve, ashtu siç nuk mund të jetë fitore për shqiptarët rënia e natalitetit maqedonas. Nëse njëri komunitet humbet popullsinë për shkak të emigrimit dhe tjetri për shkak të rënies së lindjeve, në fund humb i gjithë shteti.

Natyrisht, sfidat nuk janë plotësisht të njëjta. Te maqedonasit është veçanërisht i theksuar problemi i natalitetit të ulët dhe plakjes së popullsisë, ndërsa te shqiptarët emigrimi i familjeve dhe i të rinjve ka marrë përmasa shqetësuese. Por këto dy procese nuk duhet të shndërrohen në një garë se kush do të mbetet më shumë në këtë vend.

Para disa kohësh lexova një artikull me titullin se shqiptarët po dominojnë me lindje në Krushevë. Titulli më nxiti të hap lajmin, por ajo që gjeta ishte se në periudhën për të cilën raportohej kishin lindur 17 fëmijë shqiptarë dhe 9 maqedonas.

Nëse kthehemi rreth dhjetë vite pas, situata ishte krejt tjetër. Atëherë, sipas të dhënave që kujtoj, të dy komunitetet regjistronin mbi 50 lindje secili.

Pra, sot mund të flasim për një epërsi numerike të lindjeve shqiptare, por kjo më shumë i ngjan një fitoreje të Pirros sesa ndonjë suksesi demografik.

Çfarë vlere ka të flasësh për dominim me 17 lindje, kur vetëm një dekadë më parë secili komunitet kishte mbi 50 lindje? Në këtë rast, nuk kemi të bëjmë me triumfin e njërit komunitet ndaj tjetrit, por me tkurrjen e të dyve.

Njëri mund të ketë një epërsi numerike, por të dy po humbasin në përmasa shumë më të mëdha.

Në vend që të gëzohemi se kush ka lindur më shumë, ndoshta duhet të pyesim veten se pse sot lindin kaq pak fëmijë.

Nga 350 nxënës në më pak se 80

Kjo situatë më kujton një ngjarje të para rreth 25 viteve në një fshat të Strugës.

Në atë kohë, fshati ishte ndarë në dy pjesë për shkak të debatit rreth vendndodhjes së shkollës së re. Shkolla kishte rreth 350 nxënës dhe përplasjet mes banorëve ishin aq të ashpra, saqë ndërtimi i saj u prolongua për disa vite.

Sot, i njëjti debat duket pothuajse i pabesueshëm. Shkolla që dikur kishte 350 nxënës tani rrezikon të mbyllet. Numri i nxënësve ka rënë vazhdimisht si pasojë e emigrimit dhe tkurrjes së popullsisë. Klasat kanë nga tre deri në dhjetë nxënës, ndërsa e gjithë shkolla nuk ka më shumë se 80.

Ky është një shembull që tregon se sa lehtë mund t’i ngatërrojmë prioritetet si shoqëri.

Para 25 vitesh debatonim me vite për vendndodhjen e shkollës, ndërsa sot rrezikojmë të mos kemi mjaftueshëm fëmijë për ta mbajtur atë hapur.

Dikur shqetësimi ishte se kujt do t’i takonte një pozicion, kush do ta administronte një institucion apo cili komunitet do të kishte më shumë përfaqësim. Sot, shumë prej atyre që duhej të ishin nxënës, studentë, punëtorë dhe prindër në vendlindje, jetojnë në Gjermani, Zvicër, Austri dhe vende të tjera të Evropës.

Po largohemi, ndërsa fillojmë të kërkojmë punëtorë nga ana tjetër e botës

Ka edhe një paradoks tjetër që po bëhet gjithnjë e më i dukshëm.

Ndërsa mijëra qytetarë tanë largohen drejt Gjermanisë dhe vendeve të tjera evropiane, bizneset dhe ekonomia jonë kanë filluar të kërkojnë fuqi punëtore nga vende të largëta të Azisë, përfshirë edhe Lindjen e Largët.

Nuk kam asgjë kundër njerëzve që vijnë këtu për të punuar dhe për të siguruar jetesën. Përkundrazi, puna dhe dinjiteti nuk kanë kombësi. Por kjo dukuri duhet të na bëjë të reflektojmë.

Shoqëritë tona ende nuk janë plotësisht të hapura dhe të përgatitura për këtë realitet të ri. Nuk jemi mësuar të jetojmë e të punojmë në një mjedis ku kolegët tanë vijnë nga kultura, gjuhë dhe mentalitete shumë të ndryshme. Kjo kërkon më shumë tolerancë, mirëkuptim dhe gatishmëri për integrim nga të dyja palët.

Por pyetja kryesore është tjetër: si arritëm në një situatë ku vendi ynë humbet të rinjtë dhe familjet e veta, ndërsa për të plotësuar vendet e punës duhet të kërkojë punëtorë nga mijëra kilometra larg?

A është kjo një zgjidhje për mungesën e fuqisë punëtore apo vetëm një mënyrë për të mbuluar përkohësisht një problem shumë më të thellë?

Punëtorët e huaj mund të ndihmojnë ekonominë dhe të plotësojnë vende të lira pune, por ata nuk mund ta zëvendësojnë plotësisht humbjen demografike të një shoqërie. Një vend nuk ka nevojë vetëm për duar pune. Ka nevojë për familje, fëmijë, shkolla, mjekë, profesionistë dhe njerëz që e shohin të ardhmen e tyre këtu.

Raportet shqiptaro-maqedonase dhe sfida që nuk mund ta shmangim

Në këtë pikë, mendoj se edhe raportet shqiptaro-maqedonase duhet të shihen nga një këndvështrim më praktik.

Për vite me radhë, këto raporte janë dominuar nga çështje të identitetit, gjuhës, përfaqësimit, historisë dhe ndarjes së pushtetit. Shumë prej tyre janë çështje legjitime dhe të rëndësishme, të cilat nuk mund të anashkalohen. Shqiptarët kanë problemet dhe kërkesat e tyre, ndërsa maqedonasit kanë shqetësimet dhe pritjet e tyre.

Por problemi lind kur politika i mban këto tema vazhdimisht në qendër të debatit, ndërsa çështjet që përcaktojnë drejtpërdrejt të ardhmen e qytetarëve mbeten në plan të dytë.

Nuk është e nevojshme që shqiptarët dhe maqedonasit të mendojnë njësoj për historinë, identitetin apo organizimin politik të shtetit. Por është e nevojshme të kuptojnë se kanë interesa të përbashkëta shumë më të mëdha nga sa pranojnë shpesh elitat e tyre politike.

Një shkollë që mbyllet në një fshat shqiptar është humbje për atë komunitet, por edhe për shtetin. Një familje maqedonase që largohet për shkak të mungesës së perspektivës është po ashtu humbje për të gjithë. Një spital pa mjekë, një ekonomi pa punëtorë dhe një komunë që humbet popullsinë nuk bëjnë dallim mbi baza etnike.

Ndoshta emigrimi është një nga sfidat që duhet t’i detyrojë shqiptarët dhe maqedonasit të kuptojnë se kanë më shumë gjëra që i bashkojnë sesa mendojnë.

Nuk po them se duhet të harrojmë problemet që kemi pasur ndër vite apo të mbyllim sytë para padrejtësive dhe dallimeve që ekzistojnë. Përkundrazi, një bashkëjetesë e shëndoshë kërkon respekt të ndërsjellë, barazi dhe trajtim të drejtë institucional.

Por nuk mund të vazhdojmë të merremi vetëm me atë se kush ka më shumë përfaqësues, kush ka lindur më shumë fëmijë apo kush ka fituar më shumë në një betejë politike, ndërkohë që po humbasim njerëzit që duhet ta ndërtojnë këtë shtet.

Nëse vazhdojmë ta masim suksesin e një komuniteti me dobësimin e tjetrit, rrezikojmë që një ditë të mos kemi më as numra për të bërë krahasime.

Sepse emigrimi nuk pyet nëse je shqiptar apo maqedonas. Ai pyet nëse ke punë, nëse ke perspektivë, nëse mund të jetosh me dinjitet dhe nëse mund t’u ofrosh fëmijëve të tu një të ardhme më të mirë.

Nëse si shoqëri dhe si shtet nuk arrijmë ta kuptojmë këtë, nuk do të jetë e largët dita kur, pasi të na braktisin fshatrat, radhën do ta kenë qytetet.

Dhe atëherë, ndoshta, në avionin Shkup–Memingen nuk do të na bëjë përshtypje se sa vende janë të zëna, por do të duhet të pyesim veten se përse ka mbetur kaq pak njerëz që duan të kthehen.

Sepse në avionin drejt Gjermanisë shqiptarët dhe maqedonasit janë të barabartë. Të gjithë kërkojnë një jetë më të mirë. Dallimi është se disa tashmë e kanë gjetur atë larg vendit të tyre, ndërsa të tjerët ende po mendojnë se ku do ta ndërtojnë të ardhmen.

Dhe kjo duhet të jetë arsyeja jonë e përbashkët për t’u shqetësuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *