Çitaku: U miratua strategjia për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në apel, po përgatitet iniciativa e re ligjore për Hagën
U.d e kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ka bërë të ditur se është miratuar strategjia për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në fazën e apelit, ndërsa ka njoftuar edhe për hartimin e një iniciative të re ligjore për Dhomat e Specializuara në Hagë.
Në një deklarim publik, Çitaku ka thënë se drafti i iniciativës së re ligjore është pranuar dy ditë më parë dhe një ditë më pas u është prezantuar anëtarëve të grupit strategjik.
"“Para dy ditësh kam pranuar draftin e iniciativës së re ligjore për Dhomat e Specializuara të hartuar dhe harmonizuar nga ekspertë juridikë. Dje në mbledhjen e radhës të Grupit Strategjik ua kam prezantuar këtë draft të gjithë anëtarëve të grupit. Qëllimi i inicativës tonë mbetet i pandryshuar, të garantojmë një proces të drejtë gjyqësor, respektimin e të drejtave themelore të njeriut dhe mekanizma të mirëfilltë, me mbikqyrje insititucionale duke respektuar pavarësinë e gjyqësorit”, ka thënë Çitaku.
Sipas saj, iniciativa synon garantimin e një procesi të drejtë gjyqësor, respektimin e të drejtave themelore të njeriut dhe krijimin e mekanizmave të mbikëqyrjes institucionale, pa ndërhyrë në pavarësinë e gjyqësorit.
“Qëllimi i iniciativës sonë mbetet i pandryshuar: të garantojmë një proces të drejtë gjyqësor, respektimin e të drejtave themelore të njeriut dhe mekanizma të mirëfilltë të mbikëqyrjes institucionale duke respektuar pavarësinë e gjyqësorit”, ka deklaruar Çitaku.
Ajo ka mohuar se përmes kësaj iniciative synohet shmangia apo pengimi i drejtësisë, duke kërkuar që Dhomat e Specializuara të respektojnë standardet ndërkombëtare dhe parimet e një procesi të drejtë.
Ndërkohë, Çitaku ka njoftuar se grupi strategjik ka miratuar edhe strategjinë për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në fazën e apelit.
Ajo ka bërë të ditur se ky dokument është hartuar me kontributin e ekspertëve, institucioneve dhe përfaqësuesve të të gjitha partive parlamentare shqiptare në Kuvendin e Kosovës.
“Tashmë kemi një dokument të përbashkët, mbi bazën e të cilit shteti i Kosovës do të organizojë angazhimin e tij në këtë proces”, ka thënë ajo.
Në deklarimin e saj, Çitaku është ndalur edhe te debatet dhe kritikat e javëve të fundit, duke theksuar se PDK-ja do të vazhdojë ta ketë prioritet mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.
“Për PDK-në mbrojtja e çlirimtarëve në Hagë është prioritet absolut, me çdo çmim dhe me të gjitha mjetet që kemi në dispozicion”, ka deklaruar Çitaku.
Ajo u ka bërë thirrje anëtarëve dhe mbështetësve të partisë që të kenë besim në procesin e mbrojtjes, duke e cilësuar atë si betejën kryesore të subjektit politik./Telegrafi/
