Debat publik, po diskutohet strategjia e turizmit 2027-2032
Rritja e cilësisë së ofertës turistike, zhvillimi i kapaciteteve njerëzore dhe koordinimi ndërinstitucional, janë vetëm disa nga shtyllat kryesore të Strategjisë Kombëtare për Turizëm 2027-2032.
Në debatin e parë publik kushtuar kësaj strategjie u theksua nevoja që turistët të qëndrojnë më gjatë në vend dhe të zbulojnë më shumë destinacione, përtej Shkupit dhe Ohrit, njofton TMV2.
Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, tha se vendi ynë ka potencial të madh turistik dhe pasuri të shumta natyrore e kulturore, për të rritur numrin e turistëve. Tha se strategjia është përgatitur në bashkëpunim me të gjithë aktorët relevantë dhe se zhvillimi i turizmit kërkon angazhim të përbashkët institucional, e jo vetëm të një ministrie.
“Zbatimi i saj kërkon koordinim dhe përkushtim nga të gjithë. Turizmi nuk mund të zhvillohet vetëm me një ministri, por i nevojitet bashkëpunim ndërmjet institucioneve dhe vetëqeverisjes lokale dhe sektorit privat. Debati i sotëm është mundësi e rëndësishme për të përmirësuar më tej draft-strategjinë.”, – deklaroi ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani.
Sipas profesorit universitar të turizmit, Sasho Korunovski, vendi ka resurse të jashtëzakonshme, por cilësia e produkteve turistike ende nuk i përgjigjet potencialit që posedon.
“Shumë më e rëndësishme është që turizmin të mos e matim me numrin e turistëve që vijnë, por me kohëzgjatjen mesatare të qëndrimit, pikërisht ashtu siç parashikohet në strategjinë e re. Prandaj, edhe masat synojnë rritjen e kohëzgjatjes mesatare të qëndrimit dhe jo të numrit të turistëve. Ka masa që synojnë shpërndarjen e turizmit pasi ndonëse kemi resurse kudo, aktualisht vetëm Ohri dhe Shkupi janë destinacione të vizituara.”, – theksoi profesori universitar, Sasho Korunovski.
Zvicra do të vazhdojë të mbështesë zhvillimin e kulturës dhe turizmit në vend, përfshirë edhe zbatimin e strategjisë së re.
“Përvoja e deritanishme na konfirmoi se turizmi kërkon një qasje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme. Përvoja e Zvicrës tregon se rritja e numrit të vizitorëve mund të krijojë vende të reja pune dhe mundësi ekonomike, edhe në zonat më të largëta. Megjithatë, ky zhvillim duhet të shoqërohet me një ofertë turistike cilësore, mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore, si dhe përfitime konkrete për komunitetet lokale dhe bizneset.”, – u shpreh ambasadori i Zvicrës në Shkup, Kristof Zomer.
