TË FUNDIT

Kompania ajrore norvegjeze Norse Atlantic pezullon fluturimet, rrezikon falimentimin

Kompania ajrore norvegjeze me kosto të ulët, Norse Atlantic, ka anuluar të gjitha fluturimet e së enjtes, ndërsa po përballet me rrezikun e falimentimit për shkak të vështirësive financiare dhe rritjes së çmimeve të karburantit të avionëve, të ndikuara nga lufta kundër Iranit.

E themeluar në vitin 2021 dhe e specializuar në fluturime në distanca të gjata, kompania kishte paralajmëruar një ditë më parë se gjendja e saj financiare ishte “kritike”. Ky njoftim shkaktoi rënien e aksioneve të saj me 85 për qind.

“Nëse nuk sigurohet urgjentisht një zgjidhje financimi afatshkurtër, bordi synon të paraqesë kërkesën për falimentim”, thuhet në një njoftim të kompanisë drejtuar Bursës së Oslos.

Kompania shtoi se nuk ka asnjë garanci që do të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme financiare, transmeton Telegrafi.

Të gjitha fluturimet e planifikuara për të enjten janë anuluar deri në sqarimin e mundësisë për sigurimin e financimit të nevojshëm.

Norse Atlantic bëri të ditur se është në bisedime me investitorë për një blerje të mundshme të kompanisë, e cila do të përfshinte edhe një zgjidhje financiare. Megjithatë, nuk dha detaje për identitetin e investitorëve të interesuar.

Aksionet e kompanisë shënuan rënie të mëtejshme në fillim të tregtimit të së enjtes, përpara se të rikuperoheshin dhe të kalonin në territor pozitiv. Megjithatë, me çmimin prej vetëm 0.04 koronash për aksion, vlera e saj në treg ka rënë në rreth 9.7 milionë dollarë.

Problemet financiare të Norse Atlantic nuk janë të reja, por janë përkeqësuar pas rritjes së ndjeshme të çmimeve të karburantit të avionëve, si pasojë e luftës në Lindjen e Mesme.

Vështirësi të ngjashme po përballen edhe kompani të tjera ajrore. Kompania spanjolle Plus Ultra njoftoi të martën ndërprerjen e operacioneve, ndërsa transportuesi ajror letonez Air Baltic paraqiti në shtator kërkesën për mbrojtje nga falimentimi sipas Kapitullit 11 në SHBA. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *