Tentativë për shmangien e detyrimeve doganore
Dogana e Kosovës, gjatë procedurave të rregullta të kontrollit të dërgesave në sektorin e Aeroportit – Kargo, ka zbuluar një rast për të shmangur detyrimet doganore përmes deklarimit të gabuar të një dërgese postare.
Dërgesa, e përbërë nga një paketë, ishte deklaruar me dokumentacionin përkatës si “pjesë metalike të buta për testim”.
Për shkak të dyshimit për mospërputhje mes përshkrimit të deklaruar dhe të dhënave të dërgesës, zyrtarët doganorë e kanë selekcionuar paketën për kontroll me pajisjet e skanerit, si dhe për ekzaminim fizik në zonën doganore të Aeroportit – Kargo.
Pas analizës së imazheve të skanerit dhe ekzaminimit fizik është konstatuar se përmbajtja e paketës nuk përputhej me deklarimin e bërë. Në vend të pjesëve metalike për testim, brenda janë gjetur 4,161 copë stoli argjendi, ndër të cilat sipas njoftimit: 1,331 unaza; 358 qafore; 844 byzylykë; 1,001 varëse; 503 palë vathësh; 124 komplete.
Vlera reale dhe detyrimet e shmangura
Pas vlerësimit është konstatuar se vlera reale doganore e mallit, pa taksat, arrin 25,861.39 euro, ndërsa shuma e detyrimeve doganore që është tentuar të shmanget shkon në 7,706.69 euro.
Për shkak të mosdeklarimit të saktë të llojit, sasisë, peshës dhe vlerës së mallit, rasti është trajtuar si shkelje doganore.
Dogana e Kosovës thekson se mbetet e angazhuar në luftimin e kontrabandës, shmangien e detyrimeve doganore dhe të të gjitha formave të tjera të shkeljeve doganore, përfshirë importin e mallrave të ndaluara.
“Përmes kontrolleve të bazuara në menaxhimin e rrezikut dhe përdorimit të pajisjeve moderne të kontrollit, Dogana synon të sigurojë zbatimin e legjislacionit, mbrojtjen e interesave financiare të vendit dhe konkurrencë të drejtë të tregut”, thuhet në njoftimin e saj, i dhënë në Prishtinë më 24 nëntor 2026. /KosovaNews/
