TË FUNDIT

Mustafa Dauti: Dogana parandalon kontrabandën e një milion cigareve në Bogorodicë, në pranga shtetasi serb

Zëvendësdrejtori i Drejtorisë së Doganave të Maqedonisë së Veriut, Mustafa Dauti, njoftoi se zyrtarët doganorë kanë parandaluar një tentativë të madhe për kontrabandimin e cigareve në pikën kufitare të Bogorodicës, ku janë zbuluar dhe sekuestruar një milion copë cigare pa pulla akcize, me vlerë të vlerësuar prej 9 milionë denarësh.

Sipas informacioneve të prezantuara nga Dauti, malli i paligjshëm është zbuluar në një kamion transporti, i cili në hyrje të vendit ishte deklaruar për transit me ngarkesë të rregullt prej granulatesh propileni. Pas dyshimeve të arsyeshme të ngritura nga ekipet doganore, automjeti i është nënshtruar një kontrolli të detajuar, gjatë të cilit janë gjetur 100 kuti kartoni me gjithsej 5.000 steka cigare të padeklaruara.

Me këtë aksion është parandaluar shmangia e pagesës së detyrimeve të importit në vlerë prej 13,7 milionë denarësh. Drejtuesi i kamionit, shtetas i Serbisë, është privuar nga liria, ndërsa Departamenti i Hetimeve pranë Drejtorisë së Doganave ka ngritur ndaj tij kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Gjevgjeli për veprën penale të kontrabandës. Ky është rasti i dytë i regjistruar gjatë këtij viti në pikën kufitare të Bogorodicës, ku ndërpritet tentativë për kontrabandimin e cigareve pa pulla akcize në sasi kaq të mëdha. Aksioni është pjesë e masave të vazhdueshme të Drejtorisë së Doganave për luftimin e tregtisë së paligjshme të produkteve të duhanit përmes kontrolleve të përforcuara kufitare, mbikëqyrjes së tregut të brendshëm dhe hetimeve të koordinuara.(INA)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *