Assane Diatta po e udhëheq Prishtinën drejt titullit, ylli i Superligës zbulon ëndrrat dhe ambiciet e tij
Sulmuesi senegalez, Assane Diatta po përjeton sezonin më të mirë të karrierës, duke u shndërruar në protagonistin kryesor të Prishtinës dhe golashënuesin më të mirë të Albi Mall Superligës. Diatta synon ta mbyllë kampionatin si golashënuesi më i mirë, ndërsa me bardhekaltrit dëshiron të arrijë objektivat madhorë.
Assane Diatta është padyshim një prej ‘zbulimeve’ më të mëdha të këtij edicioni në Albi Mall Superligën e Kosovës, duke u shndërruar në njërin prej futbollistëve më vendimtarë të kampionatit.
Sulmuesi senegalez, i cili sezonin e kaluar shkëlqeu me fanellën e Malishevës, befasoi shumëkënd gjatë verës duke zgjedhur Prishtinën si destinacionin e tij të ri.
Një vendim që deri më tani është dëshmuar plotësisht i qëlluar, pasi Diatta po kalon një sezon fantastik në aspektin individual. Në 14 xhirot e para ka realizuar 11 gola dhe ka dhuruar tri asistime, duke kryesuar bindshëm listën e golashënuesve dhe duke qenë një prej futbollistëve më të dalluar të kampionatit.
Paraqitjet e tij kanë qenë një ndër arsyet kryesore që Prishtina po dominon këtë edicion, me skuadrën kryeqytetase që aktualisht kryeson tabelën me 35 pikë, pesë më shumë se Malisheva e vendit të dytë dhe tetë më shumë se Drita e treta.
Në një intervistë për Telegrafin, Diatta ka folur për transferimin te Prishtina, formën e jashtëzakonshme individuale, objektivat e skuadrës dhe ambiciet për ta përfunduar sezonin si golashënuesi më i mirë i Superligës.
Fillimisht, sulmuesi 26-vjeçar ka treguar se vendimi për t'iu bashkuar Prishtinës ishte i lehtë, pasi bëhet fjalë për një klub të madh, i cili i kishte prezantuar një projekt shumë interesant.
“Kam ardhur te Prishtina sepse është një klub i madh dhe më prezantuan një projekt shumë interesant. Kjo ishte arsyeja pse pranova të vija dhe ishte një vendim shumë i lehtë për mua”, ka thënë fillimisht Diatta për Telegrafin.
Sa i përket formës së tij aktuale, Diatta nuk ka hezituar ta pranojë se ky është sezoni më i mirë i karrierës së tij. Me 11 gola dhe tri asistime në vetëm 14 xhiro, senegalezi po tregon një efikasitet të jashtëzakonshëm, të cilin ia atribuon punës kolektive dhe dëshirës së vazhdueshme për t'u përmirësuar.
“Po, ky është sezoni më i mirë i karrierës sime. Mendoj se puna ekipore dhe dëshira ime për t'u përmirësuar çdo ditë më kanë ndihmuar të arrij këto rezultate”.
Prishtina aktualisht po udhëheq garën për titullin e kampionit, por sulmuesi kërkon të mbetet i përqendruar në secilën ndeshje, pa bërë parashikime të parakohshme për fundin e sezonit. Megjithatë, ai ka besim të madh në cilësinë e skuadrës dhe synimet që ka klubi kryeqytetas.
“Jemi të bindur në aftësitë tona, sepse kemi një skuadër vërtet të mirë. Gjithashtu, përqendrohemi në secilën ndeshje veç e veç, në mënyrë që të përmirësohemi edhe më shumë. Sezoni është i gjatë, prandaj është e vështirë të flasim për fitimin e kampionatit, por një prej objektivave tona është të jemi ndër skuadrat më të mira në Kosovë”, shtoi ylli i Prishtinës.
Në aspektin individual, Diatta nuk e fsheh dëshirën për ta mbyllur sezonin në krye të listës së golashënuesve. Megjithatë, mbi gjithçka vendos suksesin e Prishtinës dhe kontributin që mund t'i japë skuadrës për arritjen e objektivave.
“Për këtë sezon dëshiroj vetëm ta ndihmoj klubin sa më shumë që të jetë e mundur për t'i arritur objektivat. Gjithashtu, përfundimi i kampionatit si golashënuesi më i mirë është një ëndërr për mua”.
Paraqitjet e shkëlqyera në futbollin kosovar mund të hapin dyert edhe për një aventurë të re jashtë vendit, por për momentin sulmuesi senegalez nuk dëshiron të shpërqendrohet nga objektivat aktuale. E gjithë vëmendja e tij është te Prishtina.
“Për momentin jam i përqendruar vetëm te Prishtina. Më pas, do të shohim se çfarë do të sjellë e ardhmja”.
Në fund, Diatta ka zbuluar edhe emrat e futbollistëve që e kanë frymëzuar gjatë karrierës. Lionel Messi është idhulli i tij në futboll, ndërsa një ndikim të veçantë në zhvillimin e tij si futbollist ka pasur edhe bashkëkombësi Sadio Mane.
“Idhulli im në futboll është Lionel Messi, por Sadio Mane më ka frymëzuar shumë”, përfundoi sulmuesi senegalez.
Me 11 gola dhe tri asistime pas 14 xhirove, Assane Diatta tashmë është shndërruar në një nga emrat kryesorë të Superligës. Sulmuesi synon ta vazhdojë këtë ritëm, ndërsa Prishtina kërkon ta shfrytëzojë formën e tij për të rikthyer titullin e kampionit në kryeqytet, pas pesë vitesh.
Në ndeshjen e javës së 15-të, Prishtina do të luajë në udhëtim te Feronikeli ’74. / Telegrafi /
