Gjorgjievski për rrugën në “Momin Potok”: Jemi gati se në përfundim
Ndërtimi i mbikalimit rrugor në Momin Potok është drejt përfundimit, njoftoi kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, i cili publikoi një video në Facebook.
“Trashëguam një projekt të bllokuar, ndërsa sot jemi pothuajse në përfundim! Menjëherë pasi mora përgjegjësinë për Shkupin, përfunduam procedurat e shpronësimit që pengonin ndërtimin e mbikalimit ‘Momin Potok’. Që atëherë po punojmë me të njëjtin ritëm dhe me një qëllim të vetëm, që shkupjanët më në fund ta kenë këtë lidhje të rëndësishme rrugore”, thuhet në njoftimin e Gjorgjievskit.
Sipas kryetarit të Shkupit, në urë tashmë ka filluar shtrimi i asfaltit, ndërsa po ndërtohet edhe ura e fundit nga gjithsej pesë ura.
“Njëra korsi tashmë është asfaltuar. Në vijim do të asfaltohet edhe korsia tjetër, do të vendoset shtresa përfundimtare e asfaltit dhe do të ndërtohet edhe një rrethrrotullim. Kur ka vullnet, gjithçka është e mundur. Ne e duam Shkupin dhe këtë e dëshmojmë me vepra!”, thuhet në njoftimin e Gjorgjievskit.
