Vuçiq paranojak: Nëse tentojnë të më arrestojnë, do të filloj grevë urie
Aleksandar Vuçiq, kryetar i grupit parlamentar "Serbia po fiton", ka deklaruar se në rast të ndonjë përpjekjeje për arrestimin e tij do të fillojë grevë urie.
Madje, ai ka pretenduar se kjo do të çonte në daljen e një milion njerëzve në rrugë.
Duke folur për Listën Studentore, e cila ka shumicën në Kuvendin e Serbisë, Vuçiq tha se "për ta e vetmja gjë e rëndësishme është se si t'i bëjnë dëm dikujt që e urrejnë".
Vuçiq gjithashtu deklaroi se nuk ka ndërmend të tërhiqet apo të largohet.
Ai përsëriti se në rast të një përpjekjeje për arrestimin e tij do të fillojë grevë urie, gjë që, sipas tij, do të nxiste daljen e një milion njerëzve në rrugë.
"Dhe çfarë do të bëni atëherë me një milion njerëz në rrugë, në momentin që kjo të ndodhë? Unë nuk jam Marinika (Tepiq) apo Bosko (Obradoviq), që të bëj shaka duke ngrënë ëmbëlsira në mbrëmje dhe fruta gjatë ditës. Për mua nuk ka asnjë problem. Ata menduan se do të ikja, se do të tërhiqesha", tha Vuçiq gjatë një paraqitjeje në televizionin Pink.
Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit, Lista Studentore fitoi shumicën e votave, duke i dhënë fund dominimit shumëvjeçar të SNS-së në politikën serbe.
Lista Studentore u formua nga lëvizja protestuese studentore që u zhvillua pas shembjes së strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad në nëntor të vitit 2024, ku humbën jetën 16 persona.
Pas humbjes zgjedhore, Vuçiqi ka vazhduar të kritikojë kundërshtarët politikë dhe të paralajmërojë për pasojat që, sipas tij, mund të sjellë ndryshimi i pushtetit në Serbi. /AA/Telegrafi/
