Mexhiti pas takimit me Ramën: Ne kemi përgjegjësi t’ua lehtësojmë rrugën njerëzve tanë
Bashkëkryetari i VLEN, Izet Mexhiti, së bashku me Bilall Kasamin, kanë zhvilluar sot një takim me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në kuadër të shënimit të Ditës së Alfabetit në Manastir.
Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, Mexhiti bëri të ditur se në fokus të bisedës ishte thellimi i bashkëpunimit mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, me qëllim lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve dhe krijimin e kushteve më të mira për bizneset dhe artistët e të dyja vendeve.
“Festa e Alfabetit na bëri bashkë sot në Manastir. Krahas agjendës zyrtare, bashkë me Bilall Kasamin zhvilluam një takim me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën. Biseduam për lidhjet që kemi ndërtuar ndër vite dhe për atë që mund të bëjmë sot që bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut të ndihet më shumë në jetën e qytetarëve tanë. E sheh çfarë vlere ka ky bashkëpunim kur një familje kalon më shpejt kufirin për të takuar të afërmit, kur artistët e bizneset nga të dyja vendet e kanë më të lehtë të punojnë bashkë. Njerëzit tanë prej kohësh i mbajnë gjallë këto lidhje. Ndërsa ne si udhëheqës kemi përgjegjësinë t’ua lehtësojmë rrugën.”
