TË FUNDIT

Talenti kosovar që po punon edhe për BMW-në ndërton dron mbrojtës për Kosovën

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka veçuar suksesin e një studenti kosovar në Gjermani, i cili së bashku me tre studentë të tjerë shqiptarë ka zhvilluar një dron mbrojtës, të prezantuar në një garë ndërkombëtare në Kosovë.

Bëhet fjalë për Drit Sanajn, i cili po ndjek studimet master në Universitetin Teknik të Mynihut në Gjermani. Ai, së bashku me tre studentë të tjerë nga Kosova, ka ndërtuar një dron mbrojtës, të cilin e prezantuan në garën ndërkombëtare “European Defense Tech Hackathon”, që po mbahet për herë të parë në Kosovë.

Sipas Maqedoncit, droni arrin shpejtësi deri në 70 kilometra në orë dhe ka kapacitet bartës deri në gjashtë kilogramë.

Ministri bëri të ditur se Sanaj ka qenë i angazhuar edhe në disa projekte të kompanisë së njohur gjermane BMW. Për të marrë pjesë në këtë garë, studenti ka ndërprerë për disa ditë qëndrimin në Gjermani dhe është kthyer në Kosovë.

“E dua Kosovën, qëllimi është të kthehem dhe të kontribuoj për vendin tim”, citohet të ketë thënë Sanaj.

Në reagimin e tij, Maqedonci theksoi potencialin e të rinjve kosovarë dhe nevojën për krijimin e mundësive që ata të kontribuojnë në zhvillimin e vendit.

“Kemi të rinj të jashtëzakonshëm, brenda dhe jashtë Kosovës. Detyra jonë është t’u krijojmë mundësi që dijen dhe talentin e tyre ta kthejnë në zhvillim për vendin tonë”, ka shkruar ministri Maqedonci.(INA)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *