Ekrem Hasani tregon planet e Alba Health për bashkëpunimin me Kosovën: Synojmë të sjellim përvojën e Zvicrës
Kryetari i Alba Health, Ekrem Hasani, në një intervistë për Telegrafi Diasporë ka folur për angazhimin e organizatës në Zvicër, marrëveshjen e bashkëpunimit me Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës dhe mundësitë që përvoja e profesionistëve shëndetësorë shqiptarë në Zvicër të vihet në shërbim të sistemit shëndetësor në Kosovë.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes me Ministrinë e Shëndetësisë, Hasani ka shpjeguar se synimi kryesor është bartja e përvojave të fituara në Zvicër dhe kontributi në zhvillimin e shërbimeve shëndetësore në Kosovë, me theks të veçantë te kujdesi shëndetësor në shtëpi.
Duke folur për themelimin dhe rrugëtimin e Alba Health, Hasani ka treguar se ideja për organizimin e profesionistëve të kësaj fushe ka nisur në vitin 2022.
“Alba Health është nisur diku 4 vite më herët, hapat e parë kanë nisë më 2022. Rexhep Rama, Shqipe Halili e kanë pasë si ide që të fillojnë me Alba Health, me një lidhje tonë ku jemi të gjithë bashkë, domethënë me kujdesin ku ne vetëm e kryejmë në Zvicër”.
Ai ka treguar edhe për hapjen solemne të organizatës, e cila, sipas tij, u mbajt më 26 qershor 2026.
“Para një viti e gjysmë u formu grupi komplet prej pesë personave dhe këtu pastaj ka fillu puna ma e gjatë, që ka qenë domethënë deri në momentin e 26 qershorit 2026 kur ka qenë hapja e jonë, domethënë që kemi pasë diku 238 vetë prezent”.
Bashkëpunimi me Ministrinë e Shëndetësisë
Duke folur për marrëveshjen e nënshkruar me Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës, Hasani ka thënë se qëllimi është që përvoja e profesionistëve shqiptarë në Zvicër të shërbejë për zhvillimin e shërbimeve shëndetësore në vend.
“Qëllimi kryesor ka qenë që na të sjellim përvojat tona në lëminë tonë ku jemi atje, që mund të them që në kantonet tona, ku ne jemi aktivë në Zvicër, jemi si fuqi në veti dhe dominojmë në këtë lami. Dhe, këtu ka qenë ideja që na së bashku, ta sjellim një grup tonin këtu në Kosovë dhe t'i ndihmojmë shtetit tonë në përvoja që këtu ndoshta mungojnë në kujdesin dhe të ofrohen sa më afër me shtetin tonë që të ndihmojnë në zhvillimin e këtyre e proceseve në shtëpi”., u shpreh ai.
Sa i përket mënyrës se si mund të realizohet bashkëpunimi, ai ka përmendur shkëmbimin e përvojave dhe përfshirjen e profesionistëve në fusha të ndryshme të kujdesit shëndetësor.
“Duke marrë parasysh që ne e kemi një marrëveshje me Kosovën, me ministrinë tonë këtu, jemi të varur prej tyre që të na japin mundësi neve se ku ne mund ose guxojmë të jemi aktiv, me dijeninë, përvojën tonë që të jemi këtu. Domethënë, ku e shohim më së shumti është në komunikim, higjiena dhe në përgjithësi, domethënë përcjellja e pacientava që kanë nevojë ose t'ia mundësohet që të rrinë sa më shumë në shtëpi edhe ata që kanë dëshirë të jetojnë deri në momentin e fundit të jetës së tyre në shtëpi, domethënë fazën e fundit të jetës tyre, që të rrinë në shtëpi”, ka thënë Hasani.
Përvoja e Spitex-it në Zvicër
Një prej fushave ku Alba Health synon të japë kontribut është edhe kujdesi shëndetësor në shtëpi, i njohur në Zvicër si Spitex. Hasani ka thënë se synojnë të sjellin në Kosovë persona me përvojë në këtë fushë dhe të krijojnë mundësi që profesionistët të njihen drejtpërdrejt me mënyrën e organizimit të shërbimeve në Zvicër.
“Kontributi do të jetë në pjesë të ndryshme”, tha ai.
Hasani ka shtuar se “shërbimet që ne i kryejmë në Zvicër, që do të thotë me një përvojë shumëvjeçare që kemi në Zvicër, do të sjellim persona të caktum të kësaj lamie këtu në Kosovë dhe ta formojmë një grup, ku këta mund të vijnë edhe një herë në Zvicër, ose dy herë në Zvicër dhe ta marrim drejtpërdrejt domethënë atë farë vendi, se si kryhen shërbimet në total në lëminë ku jemi ne.”, u shpreh Hasani.
Gjashtë kompani shqiptare dhe mbi një mijë punëtorë
Hasani ka folur edhe për përmasat e angazhimit të kompanive shqiptare në këtë sektor në Zvicër. Ai ka përmendur pjesëmarrjen e 55 kompanive në hapjen solemne dhe ka treguar se gjashtë prej tyre janë kompani shqiptare që ofrojnë shërbime për klientë shqiptarë.
“Me hapjen solemne që kemi pasë, kemi pasë diku 55 kompani të ndryshme që kanë marrë pjesë. Ndër to i kemi zgjedhur 6 kompani, që janë shqiptare, shërbime te klientët shqiptarë…", tha ai.
Mesazhi për profesionistët shqiptarë në Zvicër
Në fund të intervistës, Hasani u ka bërë thirrje profesionistëve shëndetësorë shqiptarë në Zvicër që t’i bashkohen angazhimit dhe të kontribuojnë me përvojën e tyre në Kosovë."
"Qëllimi jonë kryesor është që prindërit tanë shqiptarë që janë në Zvicër, që vijnë në Kosovë, ta kenë një mundësi ta marrin shërbimin e njëjtë sikur në Zvicër, domethënë, neve na duhet fuqia e punëtorëve që janë në Zvicër që të kontribuojnë së bashku me neve që ta kemi bazën në Kosovë, qysh e kemi në Zvicër”, tha ai. /Telegrafi/
