POLITIKATË FUNDIT

Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut miraton kërkesën për largimin e mbishkrimit “I love Mitrovica”

Në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut është miratuar kërkesa për largimin e mbishkrimit “I love Mitrovica”, e vendosur në këtë qytet.

Pika, e cila është diskutuar disa herë në mbledhjet e Kuvendit Komunal, është votuar të premten, më 20.11.2026, me 15 vota për dhe dy kundër.

Asamblisti i PDK-së, Emir Azemi, i cili votoi kundër, tha se kjo temë po përsëritet çdo muaj.

“Sinqerisht, kur kemi propozuar këtë pikë, kam besuar dhe shpresuar që doni ta bëni sukses të vitit, por siç po shihet, kjo po shndërrohet në sukses të mandatit”- theksoi Azemi.

Zëvendëskryesuesja, Aida Ferati-Doli, tha se ata që votuan për largimin e mbishkrimit asnjëherë nuk kanë dhënë arsye konkrete se pse duhet të largohet kjo shenjë.

“Në mbledhjen e kaluar e kam bërë një kërkesë që në sheshin e qytetit tonë, i kemi disa monumente që janë nga fushata politike e partisë që është në pushtet këtu, të cilat vazhdimisht i pengojnë qytetarët. Sa merreni me ‘I love Mitrovica’ që nuk e pengon askënd, kisha theksuar prapë që t’i largoni ato në mes të sheshit”- tha ajo.

E kryesuesi i Kuvendit, Ivan Zaporozhac, kujtoi kohën kur ish-qeverisja lokale, e udhëhequr nga Erden Atiq, kishte larguar obeliskun me mbishkrimin “Kosovska Mitrovica”, të shkruar me alfabet cirilik, dhe e kishte zëvendësuar me “I love Mitrovica”.

Në përgjigje të deklaratës së Ferati-Dolit, ai ngriti pyetjen se kë e kishte penguar mbishkrimi i mëparshëm.

“Nëse ministria do të vazhdojë që, popullorçe të them, t’i vërë shkelma vendimeve të këtij Kuvendi, ne do të vazhdojmë të sjellim vendime. Mbase do të kërkojmë edhe ndonjë mbrojtje juridike, por jam i sigurt se sa herë që na refuzohet një kërkesë ose vendim, prapa kësaj qëndron politika e pushtetit qendror në Prishtinë dhe asgjë tjetër”- tha Zaporozhac.

Miratime, shfuqizime dhe kundërshtime

Në qershor, Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut kishte shfuqizuar vendimin për largimin e mbishkrimit “I love Mitrovica”, të cilin e kishte miratuar në mbledhjen paraprake.

Shfuqizimi i këtij vendimi ishte bërë pasi Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) kishte vlerësuar se vendimi i Kuvendit Komunal për largimin e mbishkrimit ishte në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Kështu kishte deklaruar kryesuesi i Kuvendit Komunal, Ivan Zaporozhac, duke theksuar se ishin të obliguar ta bënin këtë veprim, përndryshe procesi do të inicohej në gjykatën kompetente.

Pavarësisht se kishin votuar për shfuqizimin e këtij vendimi, anëtarët e Listës Serbe dhe të iniciativës qytetare “Veriu për të gjithë” kishin vazhduar ta përkrahnin largimin e mbishkrimit.

Madje, kryetari i kësaj komune, Millan Radojeviq, kishte deklaruar se një gjë e tillë do të arrihej një ditë.

Përkundër këtij vlerësimi, më 09.09.2026, Kuvendi Komunal kishte miratuar sërish kërkesën për largimin e mbishkrimit “I love Mitrovica”, vendim i cili ishte kundërshtuar nga asamblistët shqiptarë./ Kallxo.com

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *