Kurti për marrëveshjen 56.2 milionëshe: Do të rris kapacitetin e prodhimit për 30 MW dhe jetëgjatësinë e “Kosova B”
Kryeministri Albin Kurti ka shkruar lidhur me marrëveshjen 56.2 milionëshe, që është nënshkruar dje mes KEK’ut dhe kompanisë amerikane General Electric, për modernizimin e turbinave me avull të Termocentralit Kosova B.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se ky investim do të rrisë kapacitetin e prodhimit për 30 MË dhe jetëgjatësinë e TC Kosova B.
Madje, e ka cilësuar këtë një nga ngjarjet më të rëndësishme në sektorin e energjisë.
“Kompania amerikane General Electric (GE) që 40 vjet më parë kishte dizajnuar teknologjinë e turbinave të termocentralit Kosova B, katër dekada pas kthehet për t’i modernizuar ato përmes një marrëveshjeje me vlerë 56.2 milionë euro që nënshkruan me Korporatën e Energjisë Elektrike (KEK).
Ky investim do të rrisë kapacitetin e prodhimit për 30 MW dhe jetëgjatësinë e TC Kosova B, pa rritur emetimin e gazrave ndotës dhe nevojën për remonte të shpeshta. Më shumë prodhim, do të thotë më shumë pavarësi energjetike dhe më pak varësi ndaj importeve, më shumë siguri të furnizimit me rrymë dhe më pak shpenzime të buxhetit të shtetit”, ka shkruar Kurti.