Kërçovarja që shpëton jetë nga aeroplani
Nga Kërçova në qiejt e botës: Rrugëtimi i jashtëzakonshëm i Florije Jusufit, anesteziologes shqiptare në shërbimin zviceran të shpëtimit ajror “Rega”
E lindur në Kërçovë dhe e rritur në Zvicër, Dr. Florije Jusufi po lë gjurmë të jashtëzakonshme në mjekësinë ndërkombëtare si anesteziologia e vetme shqiptare në kompanien e mirënjohur zvicerane të shpëtimit ajror “Rega” (Swiss Air Ambulance).
Sipas një rrëfimi ekskluziv për portalin albinfo.ch, ajo ka realizuar qindra orë fluturimi në të gjitha kontinentet e botës, duke fluturuar në rreth 60 vende brenda një viti për të riatdhesuar pacientë në gjendje kritike, përfshirë misione sfiduese në Amerikën Latine, Afrikë, Azi dhe fluturimin rekord nga Zelanda e Re në Zvicër. E pajisur me një profil të lartë akademik pasi ka përfunduar studimet dhe doktoraturën në Universitetin e Bazelit, ajo shpjegon se sfidë më e madhe se vetë fluturimi me aeroplanin mjekësor të tipit Challenger CL-604 mbetet transporti tokësor në vendet e huaja.
Gjatë karrierës së saj në “Rega”, Jusufi ka kryer misione edhe në trojet shqiptare, duke sjellë ndihmë mjekësore në Prishtinë dhe Ohër, ku prania e një mjekeje shqiptare që flet gjuhën amtare dhe mbërrin me avion mjekësor nga Zvicra ka përbërë një befasi të madhe dhe emocion për vendësit. Duke balancuar punën e saj mes spitaleve zvicerane dhe misioneve globale të shpëtimit, ajo mbetet një shembull frymëzimi, e mbështetur fuqishëm nga familja e saj në këtë rrugëtim humanitar e profesional./Albinfo.ch
LEXO tekstin e plotë tek Albinfo.ch
