Kallëzim penal ndaj një të punësuari në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim, mori ryshfet prej 500 euro
Njësia për Luftimin e Korrupsionit pranë Departamentit për Shtypjen e Krimit të Organizuar dhe të rëndë, në Prokurorinë Themelore Publike (PTHP) Shkup, ka paraqitur kallëzim penal kundër L.N. (63) nga Shkupi, për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprës penale "marrje ryshfeti", sipas nenit 357, paragrafi 1 të Kodit Penal.
"I kallëzuari L.N., i punësuar në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe me vendim është i autorizuar të nënshkruajë, të japë mendime dhe të miratojë pëlqime për planet dhe projektet hapësinore dhe urbanistike nga aspekti i mbrojtjes dhe shpëtimit, si dhe për elaboratet për mbrojtje nga zjarret, shpërthimet dhe materiet e rrezikshme, përmes sistemit elektronik E-Urbanizëm dhe E-Leje Ndërtimi, për Njësinë Rajonale për Mbrojtje dhe Shpëtim – Qendër, më 12.11.2026, një personi i kishte kërkuar shumën prej 500 euro".
"Konkretisht, më 12.11.2026, personi ishte paraqitur në ambientet e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, ku ishte takuar me të kallëzuarin për t'u interesuar rreth statusit të lëndës së tij, të dorëzuar në Komunën Qendër. Me këtë rast, L.N. i kishte kërkuar para në këmbim të nënshkrimit të dokumentacionit, edhe përkundër mangësive".
"Më 17.11.2026, ata ishin takuar përsëri, me ç'rast personi ia kishte dorëzuar paratë. Menjëherë pas kësaj, ai ishte ndaluar nga zyrtarët policorë, pas çka kishte tentuar të ikte, por ishte kapur dhe privuar nga liria, ndërsa ishte gjetur dhe sekuestruar zarfi me paratë", thonë nga MPB.
