Incident në Gjinekologjinë e Shkupit: Foshnjës dyditëshe i prenë një pjesë të gishtit, reagon prindi dhe Klinika
Një incident ka ndodhur në Klinikën për Gjinekologji dhe Obstetrikë në Shkup, ku një foshnje dy ditëshe i është prerë një pjesë e gishtit të madh gjatë nxjerrjes së një infuzioni.
Drejtori i Klinikës për Kirurgji Pediatrike, Dr. Lazo Jovçevski, ka konfirmuar rastin duke thënë se ishte thirrur kirurgu pediatrik Dr. Lazar Todoroviq, dhe foshnja duhej të operohej nën anestezi sepse gjakderdhja nuk ndalej. Tani foshnja ka një gisht të madh më të shkurtër, sepse një pjesë e gishtit ishte amputuar.
Rasti u raportua nga babai i foshnjës, A.A, i cili tregoi se çfarë ndodhi.
Ai deklaroi se incidenti ndodhi ndërsa po përpiqeshin t'i hiqnin infuzionin foshnjës.
"Gruaja ime më telefonoi të vija t'i merrja nga spitali. Ne rregulluam të gjitha dokumentet dhe ndërsa prisnim që të sillnin vajzën tek ne, ata u përpoqën të hiqnin infuzionin, i cili ishte i fiksuar me shirit ngjitës dhe një fashë. Ndërsa përpiqeshin të hiqnin infuzionin me gërshërë, ia prenë gishtin", tha prindi.
Sipas Klinikës rasti ndodhi më 16 nëntor dhe se menjëherë pas diagnostikimit të lëndimit, u thirr një kirurg pediatrik, pas së cilës i porsalinduri u transferua në departamentin kirurgjik për trajtim të mëtejshëm.
Ata theksojnë se ngjarja u regjistrua dhe u raportua si një ngjarje e padëshiruar, dhe gjatë ditës së djeshme rasti u shqyrtua nga Komisioni i Cilësisë.
"Ne theksojmë se ngjarje të tilla trajtohen me shkallën më të lartë të seriozitetit dhe se nuk do të ketë tolerancë për asnjë mangësi të identifikuar në sjellje. Nëse përcaktohet përgjegjësi, do të merren masat më të rrepta në përputhje me rregulloret ligjore. Siguria e pacientëve, veçanërisht e të porsalindurve, mbetet përparësia jonë absolute, dhe institucioni do të veprojë në mënyrë transparente, të përgjegjshme dhe në përputhje me procedurat e përcaktuara", njoftuan nga Gjinekologjia.
Përveç kësaj, është planifikuar një takim i Komitetit Disiplinor për rastin, me qëllim përcaktimin e plotë dhe objektiv të situatës faktike, rrethanave në të cilat ka ndodhur shkelja dhe përcaktimin e përgjegjësisë individuale.
