TË FUNDIT

Erërat e forta dëmtojnë kulmin e shkollës në Kramovik, uji depërton në dy klasa – çfarë thonë nga DKA në Rahovec

Erërat e forta që kanë përfshirë Kosovën kanë shkaktuar dëme edhe në objektin e SHFMU-së “Mustafë Ibishi” në fshatin Kramovik të Komunës së Rahovecit. Si pasojë e motit të lig, një pjesë e konsiderueshme e llamarinave mbuluese të kulmit janë shkëputur, ndërsa pas reshjeve të shiut uji ka depërtuar në disa hapësira të brendshme të shkollës.

Fatmirësisht, nga ky incident nuk ka pasur persona të lënduar në mesin e nxënësve dhe stafit të shkollës. Procesi mësimor ka vazhduar pa ndërprerje, pasi hapësirat e prekura nga depërtimi i ujit nuk po shfrytëzohen për zhvillimin e mësimit.

Për gjendjen në shkollë ka folur kryetari i fshatit Kramovik, Binak Berisha, i cili ka bërë të ditur se pas evidentimit të dëmeve është kontaktuar kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, i cili ka angazhuar ekipet përkatëse për të parë nga afër situatën.

Berisha ka theksuar se, për shkak të reshjeve të vazhdueshme të shiut, deri më tani ka qenë e pamundur të fillojnë punimet për sanimin e kulmit, por ka siguruar se nxënësit nuk janë në rrezik.

“Fatmirësisht, pa ndonjë lëndim të nxënësve dhe kolektivit të shkollës. Mësimi po vazhdon, ndërsa rrezikshmëri për nxënësit nuk ka, sepse ato klasa nuk përdoren për mbajtjen e procesit mësimor”, ka deklaruar Berisha.

Ai ka bërë të ditur se uji ka depërtuar në dy klasa mësimore dhe në një pjesë të korridorit në katin e dytë të shkollës.

Për dëmet e shkaktuara ka njoftuar edhe drejtori i Arsimit në Rahovec, Muhamet Morina, i cili ka bërë të ditur se menjëherë pas pranimit të informatës, zyrtarët e Drejtorisë Komunale të Arsimit kanë dalë në terren për të vlerësuar situatën.

Morina ka theksuar se rasti ka mundur të kishte pasoja më të rënda, pasi rreth dhjetë minuta para se të shkëputeshin pjesët metalike të kulmit, nxënësit kishin qenë në pushimin e gjatë.

“Dhjetë minuta para se të shkëputen pjesë metalike nga kulmi, nxënësit kanë qenë në pushim të gjatë”, ka bërë të ditur Morina.

Sipas tij, operatori ekonomik është duke përgatitur pjesët metalike të nevojshme për mbulimin e kulmit, proces që pritet të zgjasë dy deri në tri ditë. Ndërkohë, për të parandaluar depërtimin e mëtejmë të ujit, pjesa e dëmtuar pritet të mbulohet përkohësisht me najlon.

Drejtori i Arsimit ka bërë të ditur se mësimi nuk është ndërprerë asnjë ditë, pasi shkolla ka hapësira të mjaftueshme për zhvillimin e procesit mësimor. Ndërkohë, klasat dhe hapësirat e prekura nga uji nuk po përdoren.

Ndërkaq, për intervenimet emergjente dhe vlerësimin e dëmeve ka folur edhe drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Irfan Berisha, i cili ka bërë të ditur se kjo drejtori ka ofruar mbështetje që nga dita kur kanë ndodhur erërat e forta.

“Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, në ditën kur kanë ndodhur erërat e forta, ka ofruar mbështetje përmes Njësisë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, me qëllim të eliminimit të rreziqeve dhe ofrimit të ndihmës së nevojshme”, ka deklaruar Berisha.

Ai ka konfirmuar se dëmet kryesore janë shkaktuar në kulmin e objektit, ku erërat kanë zhvendosur një pjesë të konsiderueshme të llamarinave mbuluese, ndërsa reshjet e shiut kanë shkaktuar depërtimin e ujit edhe në hapësirat e brendshme të shkollës.

“Sa i përket dëmeve në objektin e shkollës, ato janë shkaktuar kryesisht në pjesën e kulmit, ku si pasojë e erërave të forta është zhvendosur një pjesë e konsiderueshme e llamarinave mbuluese. Gjithashtu, janë evidentuar dëme edhe në pjesën e brendshme të objektit, pasi pas reshjeve të shiut ka pasur depërtim të ujit në disa hapësira të brendshme të shkollës”, ka thënë ai.

Berisha ka bërë të ditur se Komisioni për Vlerësimin e Dëmeve nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë e Tjera ka dalë në terren për të evidentuar dhe vlerësuar dëmet, ndërsa do të përgatisë raportin përkatës.

“Komisioni për Vlerësimin e Dëmeve nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë e Tjera ka dalë në terren për të evidentuar dhe vlerësuar dëmet e shkaktuara dhe do të përgatisë raportin përkatës, i cili përfshin dëmtimet në kulmin e objektit dhe në hapësirat e brendshme të shkollës”, ka njoftuar Berisha.

Ai ka sqaruar se sanimi i dëmeve dhe intervenimi për rregullimin e kulmit janë në kompetencë të Drejtorisë së Arsimit, ndërsa ka bërë të ditur se pritet që kulmi të mbulohet përkohësisht për të parandaluar depërtimin e mëtejmë të shiut.

“Sa i përket sanimit të dëmeve dhe intervenimit për rregullimin e kulmit, kjo çështje është në kompetencë të drejtorisë përkatëse të linjës, përkatësisht Drejtorisë së Arsimit. Sipas informacioneve që kemi, pritet që ndërhyrjet për sanimin/rregullimin e kulmit të realizohen në një afat sa më të shkurtër. Sot pritet t’i vendoset kulmit një foli për moslejimin e depërtimit të shiut në brendësi të objektit, po ashtu pritet të fillojnë punimet për rregullimin e kulmit”, ka deklaruar Irfan Berisha.

Ndërkohë, punëtorët teknikë të shkollës kanë vazhduar përpjekjet për largimin e ujit nga hapësirat e prekura dhe mbajtjen nën kontroll të situatës.

Morina ka falënderuar drejtuesit e shkollës, mësimdhënësit, kryetarin e fshatit dhe banorët për solidarizimin dhe ndihmën e ofruar që nga dita e parë pas dëmtimit.

Institucionet komunale dhe operatori ekonomik pritet të vazhdojnë angazhimet për sanimin e dëmeve dhe normalizimin e gjendjes në objektin shkollor. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *