TË FUNDIT

Shqiptarja Kozeta Miliku emërohet në Universitetin e Torontos, përfiton 500 mijë dollarë për hulumtime

Studiuesja shqiptare Kozeta Miliku ka shënuar një tjetër sukses të rëndësishëm në karrierën e saj akademike në Kanada, duke u emëruar në pozitën “Canada Research Chair – Tier 2” në fushën e të Ushqyerit dhe Shëndetit të Fëmijëve dhe të Rinjve, në Universitetin e Torontos.

Përmes këtij emërimi, kërkimet e drejtuara nga Miliku do të mbështeten me 500 mijë dollarë kanadezë gjatë pesë viteve të ardhshme, përkatësisht 100 mijë dollarë në vit, financim që sigurohet nga Instituti Kanadez për Kërkime Shëndetësore.

Ajo është njëra nga 31 studiuesit e Universitetit të Torontos që janë përzgjedhur për pozita të reja ose të rinovuara kërkimore.

Miliku është profesoreshë asistente në Departamentin e Shkencave të Ushqyerjes, në Fakultetin e Mjekësisë Temerty, shkruan First Balkan Media .

Hulumtimet e saj përqendrohen në ndikimin e ushqyerjes në zhvillimin e fëmijëve dhe lidhjen e saj me rrezikun e sëmundjeve kronike, duke përfshirë studimin e ushqyerjes së prindërve para ngjizjes, periudhën e pubertetit dhe adoleshencën.

Ajo shërben gjithashtu si zyrtare e shkencës klinike në studimin kanadez CHILD Cohort Study dhe drejton programin e kërkimeve kardiometabolike, transmeton Telegrafi.

Përmes këtij projekti afatgjatë, studiuesja shqiptare analizon ndikimin e faktorëve ushqimorë në rritjen e fëmijëve, obezitetin, astmën dhe alergjitë.

Një pjesë e punës së saj shkencore është përqendruar edhe në ndikimin e ushqimeve ultra të përpunuara në shëndetin fizik dhe mendor të fëmijëve.

Rrugëtimin akademik Kozeta Miliku e nisi në Shqipëri, ku në vitin 2013 përfundoi studimet e mjekësisë në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë.

Në vitin 2017 mori doktoraturën në epidemiologji klinike në Universitetin Erasmus në Roterdam të Holandës, ndërsa më pas vazhdoi trajnimet pasdoktorale në Universitetin e Manitobës dhe Universitetin McMaster në Kanada.

Emërimi i saj në Universitetin e Torontos përbën një tjetër arritje të rëndësishme për studiuesen shqiptare, e cila përmes punës së saj po kontribuon në kërkimet ndërkombëtare për ushqyerjen dhe shëndetin e brezave të rinj ./Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *