Grupi i Zjarrit: Sot zyrtarisht ju drejtohemi si fraksion brenda BDI-së, do të jemi zëri i pakontestueshëm i të gjithë qytetarëve
Kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu, njëherit edhe pjesëtarë i “Grupit të Zjarrit”, gjatë konferencës për media tha se ata sot edhe zyrtarisht po ju drejtohen si fraksion brenda BDI-së.
“Fatkeqësisht tre vite me radhë kemi ngritur alarmin se nuk respektohet statuti dhe programi i BDI-së, kjo e dëshmon më së miri mos themelimi i organeve. Sot qëndrojmë para jush si fraksion dhe zotohemi se do të jemi zëri i pakontestueshëm i nevojave dhe kërkesave jo vetëm të elektoratit tonë por të gjithë shqiptarëve dhe se këtë zë dhe zotim nuk e heshtim me asnjë kusht. Për ne zëri i popullit është mbi gjithçka”, ka deklaruar Visar Ganiu.
Ai tha se BDI është shtëpia e tyre dhe se nuk lejojnë të njolloset nga askush. Ganiu tha se në BDI ekzistojnë standarde të dyfishta gjatë vendimmarrjes.
“Propozimi ynë për votëbesim të ministrave u refuzua në mënyrë arbitrare”, tha Ganiu, duke shtuar se organet e BDI-së nuk funksionojnë sipas statutit.