TË FUNDIT

Arrestohet në Gjermani shqiptari me plot shtatë identitete

Policia Federale Gjermane ka arrestuar një 31-vjeçar shqiptar në Aachen, pasi dyshohet se kishte tentuar të vidhte artikuj në një farmaci së bashku me një grua 29-vjeçare nga Bullgaria.

Gjatë verifikimit në stacionin policor, autoritetet zbuluan se shqiptari ishte i njohur për policinë, me shtatë pseudonime dhe dhjetë kërkesa për përcaktimin e vendndodhjes së tij të regjistruara në sistem.

Sipas njoftimit të Policisë Federale, ngjarja ndodhi të dielën, rreth orës 11:00, kur zyrtarët u thirrën në një farmaci në stacionin kryesor të trenit në Aachen. Aty mbahej gruaja 29-vjeçare, pasi ajo dhe një burrë dyshohet se kishin tentuar të vidhnin produkte farmaceutike në vlerë prej rreth 28 eurosh, shkruan Telegrafi.

Burri, i cili ishte me të, ishte larguar para mbërritjes së policisë. Pas kontrollit në zonën përreth, zyrtarët e gjetën atë në një garazh parkimi aty pranë, pasi kishte tentuar të largohej kur kishte vërejtur policët.

Mallrat e dyshuara të vjedhura u gjetën në dysheme pranë tij. Kur policët i kërkuan ta shoqëronte në stacion, 31-vjeçari shqiptar kundërshtoi dhe përdori forcë fizike ndaj tyre. Megjithatë, zyrtarët arritën ta vënë nën kontroll dhe ta prangosnin.

Verifikimet në stacion zbuluan se dhjetë kërkesat për përcaktimin e vendndodhjes së tij ishin iniciuar nga Prokuroria Publike e Bremenit, për vepra të ndryshme penale, përfshirë vjedhje, grabitje, kërcënime, sulme të rënda, vjedhje të rëndë dhe sulm seksual.

Po ashtu, hetimet treguan se shqiptari ishte dëbuar nga Gjermania në vitin 2023 dhe ndaj tij ishte vendosur ndalim pesëvjeçar për hyrje dhe qëndrim në këtë shtet.

Gjatë kontrollit fizik, në çantën e belit të 31-vjeçarit u gjet një thikë me një dorë, e cila ishte lehtësisht e arritshme. Për këtë arsye, ndaj tij u shtua edhe akuza për vjedhje me armë.

Pas konsultimit me prokurorin në detyrë, shqiptari u dërgua në paraburgim në Aachen, me qëllim që të paraqitej para gjykatës të hënën për caktimin e masës së paraburgimit.

Ndërkaq, gruaja 29-vjeçare nga Bullgaria u lirua pasi ndaj saj u ngrit kallëzim penal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *